Aktualitet Politikë

Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, pritet mbyllja e Kapitullit 20/Rama në Luksemburg!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg ku sot merr pjesë në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian. Pritet të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.

Me përmbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria do të arrijë në katër kapituj të mbyllur përkohësisht në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Qeveria shqiptare synon përfundimin e negociatave brenda vitit 2027.

Kapitulli 20 përfshin politikat që lidhen me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, politikat industriale, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Sipas agjendës zyrtare, aktivitetet në Luksemburg nisin në orën 16:40, me mbërritjen drejt Qendrës Europiane të Konventave. Në orën 16:45 është parashikuar një deklaratë për mediat, ndërsa pesë minuta më vonë do të zhvillohet fotografia e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, si dhe ministrit irlandez, Thomas Byrne.

Konferenca e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE hapet në orën 17:00, me miratimin e agjendës. Pas përfundimit të saj, rreth orës 17:45, pritet të mbahet një konferencë për shtyp me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe ministrit Thomas Byrne.

AGJENDA ZYRTARE

16:40 – Nisja drejt Qendrës Europiane të Konventave.

16:45 – Doorstep.

16:50 – Fotografi e përbashkët e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres Marta Kos dhe Ministrit Thomas Byrne.

17:00 – Hapja e Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE dhe miratimi i agjendës.

17:45 – Përfundimi i Konferencës Ndërqeveritare dhe vijimi i konferencës për shtyp; Kryeministri Edi Rama, Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos dhe ministrin irlandez, Thomas Byrne.