
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës të policisë pasi dyshohet se kanë kryer veprat penale të korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës.
Efektivët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë, u denoncuan nga një qytetar i cili pretendon se i kishin marrë një shumë prej 20 mijë lekësh për të mos e ndëshkuar për një shkelje rrugore.
Të arrestuarit janë efektivët A. S., 20 vjeç, me gradën inspektor, dhe Xh. F., 23 vjeç, gjithashtu me gradën inspektor. Të dy ishin pjesë e shërbimeve të Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet.
Arrestimi është kryer në vijim të veprimeve hetimore nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Dy punonjësit dyshohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal. Versus.al

