Bota

Mes kritikave, Trump mbron marrëveshjen për naftën ruse!

Përballë kritikave të ashpra nga zyrtarë në Ukrainë, Evropë e nga radhët e Partisë së tij Republikane, presidenti amerikan, Donald Trump mbrojti vendimin për të lejuar eksportet e naftës dizel nga Rusia.

Po ashtu, këmbënguli se një ndërprerje sulmesh ndaj objekteve energjetike mes Kievit dhe Moskës është në fuqi, pavarësisht se asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë. Trump u shpreh se armëpushimi po zbatohej, edhe pse zyrtarët ukrainas raportuan për të tjera sulme ruse.

U pajtuan. E dini pse? Sepse unë thashë: “Ju pajtoheni”, prandaj. U pajtuan sepse unë thashë se ishin pajtuar dhe kjo çështje duhet të zgjidhet.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth raportimeve mbi shkeljet ruse të marrëveshjes, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se “nuk ishte i sigurt për këtë”, duke shtuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe homologu rus, Vladimir Putin, “duhet të takohen e t’i japin fund asaj lufte të pakuptimtë”.

Më 11 tetor, Trump njoftoi në rrjetet sociale se të dyja palët ishin pajtuar për një armëpushim energjetik që do të hynte në fuqi menjëherë.

Moska ende nuk e ka konfirmuar njoftimin, ndërsa Zelensky u shpreh se propozimi ishte lajm për të.

Në të kaluarën, udhëheqësi amerikan ka deklaruar se palët janë pajtuar t’i ndalin sulmet ndaj objekteve energjetike. Por, Putin ka vazhduar sulmet, duke shuar çdo shpresë për armëpushim të qëndrueshëm.

Trump mbrojti edhe një marrëveshje për lejimin e eksporteve të naftës dizel nga Rusia, të cilën e njoftoi fillimisht pas një bisede me Putinin më 9 tetor.

Ai argumentoi se Evropa ka vazhduar të blejë energji ruse, pavarësisht luftës. Edhe pse disa vende evropiane vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia, importet e gazit natyror dhe naftës bruto kanë rënë ndjeshëm, ndërsa kontinenti po përpiqet të shkëputet nga furnizimet ruse.