Aktualitet

20 mijë lekë për të mos ndëshkuar një shofer, AMP arreston dy policë në Tiranë!

Morën 20 mijë lekë për të mos ndëshkuar një shkelje rrugore, arrestohen dy efektivë të Komisariatit nr.4 në Tiranë, të dyshuar për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, në bashkëpunim.

Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), në pranga ranë dy inspektorë, 20 dhe 23 vjeç, të cilët shërbenin në Patrullën e Përgjithshme. Hetimi pasoi kallëzimin e një qytetari.

Njoftimi i plotë:

AMP arreston në flagrancë dy punonjës policie të Komisariatit 4 në Tiranë, vijojnë hetimet për persona të tjerë të përfshirë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të veprimeve hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie, me detyrë në Komisariatin e Policisë Nr. 4, Tiranë, të dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, të parashkruara nga nenet 259, 248 dhe 25 të Kodit Penal.

A.S, 20 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4, Tiranë

Xh.F, 23 vjeç, me gradën Inspektor, me detyrë trupë shërbimi në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policise Nr. 4, Tirane. Drejtoria Rajonale Tiranë.

Hetimi ka nisur pas kallëzimit të një qytetari. Nga veprimet hetimore dyshohet se punonjësit e Policisë i kanë kërkuar dhe marrë një shumë prej 20.000 lekësh, në këmbim të mosndëshkimit për një shkelje rrugore.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

AMP mbetet e vendosur në luftën kundër korrupsionit dhe çdo shkeljeje të ligjit nga punonjësit e strukturave policore, duke garantuar reagim të vendosur dhe pa kompromis ndaj çdo akti që cenon integritetin e uniformës dhe besimin e publikut te Policia e Shtetit.