Katër shtetas shqiptarë shisnin kokainë në shkallë të gjerë prej vitesh nga një apartament në qendër të Bryzhit në Belgjikë. Kreu i bandës rrezikon tani gjashtë vjet burg. Edhe pronarët e apartamentit po gjykohen, pasi përfitonin një pjesë të të ardhurave.
Nga Arne Franck, NIEWSBLAD
Policia ra në gjurmët e bandës më 1 tetor 2022, kur dëshmoi një marrëveshje droge në rrugën Smedenstraat në Bryzh. Hetimet zbuluan se shqiptarët shisnin kokainë në sasi të mëdha nga një apartament.
Personi kryesor i grupit, Domeniko T. (36 vjeç), dyshohet se e kishte nisur veprimtarinë në vitin 2018 si shpërndarës droge në rrugë, por më pas ishte shndërruar në drejtuesin e bandës.
Kur ai ndodhej në Shqipëri, rolin e tij e merrte përsipër Egi S. (30 vjeç).
Në fillim të vitit 2023, banda dyshohet se shpërndante drogë me biçikleta përgjatë mureve rrethuese të Bryzhit, duke u furnizuar me lëndë narkotike 167 klientë.
Por më 3 prill 2023, Aldmir H. (34 vjeç) u kap nga policia me një sasi të vogël kokaine. Më pas, në apartament, hetuesit zbuluan 214 gramë pluhur të bardhë dhe 13.500 euro para të gatshme. Banda dyshohet se shiste çdo ditë 27 doza droge për përdoruesit.
Gjatë procesit në gjykatën e Bryzhit të hënën, prokurori Christophe Bergez kërkoi përkatësisht gjashtë dhe katër vjet burg për Domeniko T. dhe Egi S. Dy shpërndarësit, Aldmir H. dhe Edon B. (29 vjeç), rrezikojnë secili nga dy vjet burg. Bergez kërkoi gjithashtu konfiskimin e një shume totale prej 210.000 eurosh.
Banda e kishte marrë apartamentin me qira për 1.200 euro në muaj nga K.V. (55 vjeç), banor i Bryzhit. Një pjesë e parave të qirasë ia kalonte kushëririt të tij, R.V. (32 vjeç), i cili banonte gjithashtu në të njëjtën ndërtesë. Për të dy, prokurori kërkoi nga 12 muaj burg.
Shqiptarët nuk u paraqitën në gjyq. Ndërsa dy banorët e Bryzhit ishin të pranishëm.
“Ata e dinin se çfarë bëhej aty, por nuk kanë shitur kurrë vetë drogë”, deklaruan avokatët e tyre. Ata kërkuan që klientëve të tyre t’u jepej dënimi me punë në shërbim të komunitetit.
Vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 9 nëntor.
© SYRI.net