Arresti shtëpiak i Grubit përfundon nesër, ofron prona për kthimin e pasaportës

Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministri i parë, ka kërkuar që t’i kthehet pasaporta, duke paraqitur si garanci prona me vlerë mbi 335 mijë euro. Masa e arrestit shtëpiak ndaj tij përfundon nesër, kur bëhen 60 ditë nga dorëzimi i propozim-akuzës.

Të lidhura

None found

Përpara se të marrë një vendim mbi këtë kërkesë, Gjykata Penale e Shkupit po pret që Prokuroria të japë mendimin e saj. Procesi gjyqësor lidhur me keqpërdorimet e dyshuara në Lotarinë Shtetërore po vijon dhe në seancë Grubi pritet të shkojë pa u shoqëruar nga policia.

Sipas akuzës së Prokurorisë, Grubi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mundësuar blerjen e aparateve VLT me vlerë mbi 9,7 milionë euro, megjithëse ato nuk nevojiteshin. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza, me argumentin se të gjithë 20 anëtarët e Qeverisë kishin votuar për vendimin dhe se qëllimi i tij ishte të mbronte interesin shtetëror.

Çështja nisi në dhjetor të vitit 2024, pasi Grubi u vendos nga SHBA-ja në Listën e Zezë për korrupsion. Më 15 dhjetor ai u nis drejt Kosovës. Rikthimi në Maqedoninë e Veriut ndodhi më 23 shkurt, pas më shumë se 14 muajsh, kur u vetëdorëzua në pikën kufitare të Bllacës.

Pas dorëzimit, Grubi u dërgua fillimisht në burgun e Shutkës. Megjithatë, vetëm pak orë më vonë, u kalua në arrest shtëpiak, pasi organet e sigurisë vlerësuan se qëndrimi në paraburgim i rrezikonte jetën. Ky vendim u shoqërua me reagime të shumta në opinion.


Shtuar më 13.10.2026 10:28