Kosova i kërkon SHBA-së rikthimin e Dialogut Strategjik dhe mbështetje për anëtarësim në NATO

13 Tetor 2026 | 10:32

Kosova i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të rikthejë dialogun strategjik me të si dhe përkrahje për anëtarësim në NATO.

Këto kërkesa liderët e institucioneve i kanë bërë në takimet që i kanë zhvilluar me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, të cilët të hënën kanë qëndruar për vizitë në Kosovë.

Në takim më seantorët, presidentja Justina Shiroka-Pula, ka potencuar nevojën për rikthimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ka thënë se synimi parësor i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.

“Presidentja ka potencuar nevojën e rikthimit të menjëhershëm të Dialogut Strategjik si instrument thelbësor për thellimin e partneritetit strategjik dhe për avancimin e prioriteteve të përbashkëta. Presidentja ka nënvizuar se synim parësor i Republikës së Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.

Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka thënë se nga Shaheen dhe Durbin ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për shndërrimin e bazës ushtarake amerikane Bondsteel-it në bazë të përhershme.

“Paqja dhe siguria në Kosovë janë të qëndrueshme, por shqetësuese janë veprimet e deklaratat kërcënuese të Serbisë, përfshirë këtu mbrojtja e hapur dhe e ndërsjellë midis ish-presidentit autoritar Aleksandar Vuçiç dhe kryekriminelit terrorist Milan Radoiçiç”, ka shkruar Kurti në Facebook.

SHBA-ja e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën më 12 shtator të vitit 2025. Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi se ky vendim ishte marrë për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Sipas Ambasadës këto veprime kishin rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë dhe kishin kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Aktgjykimi ndaj Thaçit për pengim të drejtësisë do të shpallet më 17 nëntor

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do ta shpallin më 17 nëntor aktgjykimin në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të...
18:28 | 12/10/2026

Shiroka-Pula: Kosova pret mbështetje të fuqishme nga Shqipëria në rrugëtimin euroatlantik

Presidentja Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Prishtinë, Petrit Malaj. Në njoftimin e Presidencës thuhet se Shiroka-Pula theksoi se Kosova dhe...
15:38 | 12/10/2026

Deklarata e Daçiç për valëvitjen e flamurit serb mbi Prizren, reagimi i Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit serb, Ivica Daçiç, i cili në një tubim zgjedhor, kishe thënë se flamuri serb...
11:20 | 12/10/2026