Dani Carvajal ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, duke u transferuar te Getafe si lojtar i lirë.

Mbrojtësi spanjoll ka arritur marrëveshjen me klubin madrilen dhe ka firmosur një kontratë njëvjeçare, pas largimit nga Real Madridi.

Getafe ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Dani Carvajal, i cili do të vazhdojë karrierën në futbollin spanjoll, këtë herë me fanellën e skuadrës që luan në elitën e La Ligës.

Sipas raportimit, një rol të rëndësishëm në bindjen e mbrojtësit ka luajtur trajneri José Bordalás, i cili e ka kontaktuar personalisht për ta afruar në skuadër.

Carvajal, i cili ka qenë pa ekip që prej largimit nga Real Madridi, do të përforcojë krahun e djathtë të mbrojtjes së Getafes. Ai pritet të ndajë minutat në këtë pozicion me Kiko Femenían, ndërsa trajneri mund ta aktivizojë edhe në qendër të mbrojtjes, në rastet kur skuadra luan me tre mbrojtës.

Kalimi te Getafe përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm edhe në aspektin financiar për Carvajal. Sipas raportimit, paga e tij e mëparshme te Real Madridi arrinte rreth 10 milionë euro neto në sezon, ndërsa te skuadra e re pritet të jetë ndjeshëm më e ulët.

Përveç kontributit në fushë, Getafe shpreson që përvoja dhe aftësitë drejtuese të mbrojtësit spanjoll të kenë ndikim edhe në dhomën e zhveshjes.

Carvajal largohet nga Real Madridi si një prej futbollistëve më të suksesshëm në historinë e klubit. Gjatë aventurës së tij me madrilenët, ai fitoi 27 trofe në 451 ndeshje, mes tyre gjashtë tituj të Ligës së Kampionëve, katër kampionate të La Ligës dhe dy Kupa të Mbretit.

Edhe me kombëtaren spanjolle, mbrojtësi ka shënuar suksese të rëndësishme. Ai ishte pjesë e skuadrës që fitoi Ligën e Kombeve në vitin 2023 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2024.

Top Channel