
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e shkarkimit të ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, pasi deklaroi në Shtëpinë e Bardhë se nuk ishte i kënaqur me performancën e saj. Trump i bëri këto komente pas publikimit të artikujve kritikë në gazetën "The Wall Street Journal".
I pyetur nëse po shqyrtonte zëvendësimin e ambasadores, presidenti amerikan u përgjigj pozitivisht, pa dhënë detaje mbi një vendim të mundshëm apo afatin kohor për të.
Debati u intensifikua nga një artikull i botuar në "The Wall Street Journal" më 25 shtator, i cili shqyrtonte përfshirjen e Guilfoyle-s në promovimin e marrëveshjeve për importin e gazit natyror të lëngshëm nga Shtetet e Bashkuara në Evropën Lindore. Sipas artikullit, ambasadorja mbështeti bashkëpunimin me "Aktor Group", një kompani greke ndërtimi që hyri së fundmi në tregun e gazit dhe është partnere e një kompanie energjetike greke të mbështetur nga shteti.
Gazetarët amerikanë raportuan gjithashtu se Guilfoyle merrte shpesh pjesë në takime së bashku me Christos Marafatsos, një lobist i "Aktor". Ai raportohet se ishte i pranishëm në takime të zhvilluara në rezidencën zyrtare të ambasadores dhe në diskutime me zyrtarë qeveritarë të rajonit, një praktikë që u cilësua si e pazakontë.
Guilfoyle, ish-prezantuese e "Fox News", ka qenë më parë e fejuar me Donald Trump Jr., djalin e madh të presidentit. Pas ndarjes së tyre, Trump e emëroi atë ambasadore në Greqi. Versus.al

