Nis nesër në Gjermani gjyqi për shpërthimin e “Nord Stream”, akuza për krim lufte
Pas spekulimeve, rrjedhjeve të të dhënave dhe informacioneve nga burime anonime gjatë katër vjetëve të fundit, bota më në fund është pranë dëgjimit të dëshmive publike, nën betim, në një gjykatë gjermane, për mënyrën se si u hodhën në erë tubacionet e gazsjellësit Nord Stream, në një çështje që mund të shkaktojë pasoja të mëdha politike.
Prokurorët gjermanë kanë identifikuar shtatë të dyshuar ukrainas, por vetëm njëri prej tyre do të ulet në bankën e të akuzuarve në gjyqin që nis nesër. Në dokumentet gjyqësore ai identifikohet si Serhii Kuznetsov dhe thuhet se dyshohet për bashkëpunim në kryerjen e një krimi lufte.
Ky klasifikim ka shkaktuar zemërim. Por, prokurorët gjermanë i kanë rritur edhe më tej tensionet, duke deklaruar se të dyshuarit vepronin “në emër të autoriteteve shtetërore në Ukrainë”.
Kievi e ka mohuar gjithmonë kategorikisht çdo përfshirje në sulm, i cili dëmtoi infrastrukturën jetike energjetike që furnizonte Gjermaninë, një nga mbështetëset më të rëndësishme ushtarake të Ukrainës në luftën e saj që prej nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia, në shkurt të vitit 2022.
Shumica e Nord Stream-it është në pronësi të Gazprom-it, kompanisë ruse të kontrolluar nga shteti, dhe gazsjellësi është financuar pjesërisht nga kompani të mëdha evropiane të energjisë. Gazsjellësi u ndërtua për të dërguar gazin rus drejtpërdrejt në Gjermani, duke anashkaluar vende tranziti si Ukraina dhe Polonia, të cilat kishin marrëdhënie të tensionuara me Moskën.
Sabotimi i dyshuar dhe rrjedhjet e gazit që pasuan ndodhën në shtator të vitit 2022, duke i nxjerrë gazsjellësit jashtë funksionit.
Fillimisht, qeveritë perëndimore akuzuan Rusinë për shpërthimet, por hetuesit gjermanë nisën të ndërtonin një çështje, sipas së cilës një grup zhytësish ukrainas kishte marrë me qira një jaht dhe kishte vendosur eksplozivë në shtratin e detit.
Sipas tyre, Kuznetsov, ish-ushtarak, ishte organizatori kryesor.
“Në fund të shkurtit të vitit 2022, ai dhe pjesëtarë të tjerë të personelit ushtarak hartuan planin në emër të autoriteteve shtetërore në Ukrainë”, thuhet në një përmbledhje të aktakuzës të publikuar nga prokurorët.
Prokurorët nuk kanë bërë publike të gjitha hollësitë e komplotit të pretenduar.
Sipas mediave gjermane e identifikuan Roman Chervinskiyn si komandantin e Serhii K., ndërsa emri i tij ishte shfaqur edhe në disa raportime të mëparshme mediatike që citonin burime të inteligjencës. Në korrik, Chervinskiy i tha Shërbimit ukrainas të REL-it se “gjermanët, në fakt, nuk kanë asnjë provë se Serhii ka marrë pjesë në këtë operacion, nëse ai ka ndodhur fare”.
Një tjetër i dyshuar, i identifikuar nga Gjermania si Vladimir Z., ndodhet aktualisht në paraburgim në Kroaci, ku po kundërshton ekstradimin. Ai ishte ndaluar më parë në Poloni, por u lirua pasi një gjykatës polak vendosi se, nëse Ukraina ishte përgjegjëse për sulmin ndaj Nord Stream-it, ai ishte një veprim “i drejtë”.
Zhytës profesionist dhe i identifikuar nga avokatët e tij polakë si Volodymyr Zhuravlyov, ai punonte në Kroaci si këshilltar për një film të Hollivudit rreth Nord Stream-it.
Gjatë gjyqit, prokuroria do të duhet të paraqesë provat për ekzistencën e një komploti dhe të shpjegojë shtrirjen e tij të plotë.
“Pyetja vendimtare është kjo: Sa nga ky plan erdhi nga nivelet më të larta të sistemit politik ukrainas dhe sa u përgatit nga disa persona brenda shërbimit të inteligjencës?”, tha për REL-in Stefan Meister, specialist për Rusinë dhe Evropën Lindore në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Çështja kryesore politike është roli i Zelenskyt dhe i administratës presidenciale. Dhe për këtë ende nuk kemi prova se ata ishin vërtet të përfshirë”, shtoi ai.
Avokati gjerman i Kuznetsovit, Jes Meyer-Lohkamp, tha se prokurorët “nuk kanë paraqitur asnjë provë të drejtpërdrejtë dhe përfundimtare për përfshirjen e klientit tonë” dhe se gjykata gjermane do të duhet të përcaktojë nëse Nord Stream ishte vërtet një objektiv i ligjshëm ushtarak.
Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut ka caktuar nga dy seanca në javë deri të paktën në shkurt, pa përcaktuar ende një datë për përfundimin e gjyqit.
Ndjekja e hajdutit përfundon në tragjedi, vritet polici në Belgjikë
Gjermania arreston personin e tretë për zjarrin në stacionin e Starlink në Poloni
Treni i pasagjerëve del nga shinat në Pakistan, 4 të vdekur dhe 30 të plagosur
- 10:40 Ndjekja e hajdutit përfundon në tragjedi, vritet polici në Belgjikë
- 10:32 Kosova i kërkon SHBA-së rikthimin e Dialogut Strategjik dhe mbështetje për anëtarësim në NATO
- 10:30 Gjermania arreston personin e tretë për zjarrin në stacionin e Starlink në Poloni
- 10:27 Treni i pasagjerëve del nga shinat në Pakistan, 4 të vdekur dhe 30 të plagosur
- 10:19 Ngjarje e rëndë në Mirditë, dhunohet nga tre persona të maskuar mjeku në fshatin Konaj
- 10:11 Von der Leyen dënon sulmet me dronë ndaj anijeve pranë Bullgarisë: Deti i Zi, një front i ri i luftës ruse