Ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, është ndaluar nga policia e Kosovës nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.
Arrestimi i tij erdhi pas një konflikti të nisur në rrjetet sociale që më pas vijoi me pretendime për kërcënime dhe kulmoi mbrëmjen e së hënës. Gjithçka nisi pas një postimi në Facebook të gazetarit Lirim Mehmetaj për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, nipi i Gani Gecit. Në reagimin e tij, Mehmetaj e quajti deputetin "analfabet", pasi Fatos Geci kishte deklaruar se ish-presidenti Hashim Thaçi mbante përgjegjësi për mbi 200 vrasje.
Sipas Mehmetajt, pas publikimit të statusit ai u telefonua nga anëtarë të familjes Geci, të cilët i kërkuan ta fshinte postimin.
Prej familjes Geci më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo", deklaroi ai.
Mehmetaj tregoi se më pas disa persona nga familja Geci shkuan edhe në zyrën e tij. Sipas gazetarit, atij iu kërkua sërish të hiqte ose të ndryshonte përmbajtjen e postimit, por ai nuk pranoi. Ai pretendon se gjatë takimit u kërcënua dhe se të nesërmen e denoncoi rastin në Policinë e Kosovës.
Ndërkohë, Gani Geci dha një version tjetër të ngjarjes. Në një postim në Facebook, ai pretendoi se, me ndërmjetësimin e deputetëve të LDK-së Anton Quni dhe Fadil Hadërgjonaj, ishte zhvilluar një takim mes familjes së tij dhe familjes Mehmetaj, ku palët ishin dakordësuar të mos merreshin më me njëra-tjetrën në publik, as në rrjetet sociale dhe as në televizione.
Pak më vonë, Mehmetaj reagoi duke publikuar sërish postimin për Fatos Gecin dhe shkroi se nuk do të hiqte "asnjë shkronjë" prej tij, duke këmbëngulur se përmbajtja ishte e vërtetë. Në fund të emisionit të së hënës, moderatori Ermal Panduri e njoftoi gazetarin se jashtë televizionit ndodheshin persona nga familja Geci dhe se në oborr kishte mbërritur edhe Policia e Kosovës. Versus.al

