Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për datën 27 tetor, për shkak të mungesës së avokatëve, siç raporton gazetarja Anila Hoxha.
Për mungesën e tyre, gjykata ka vendosur gjobitjen e avokatëve me nga 100 mijë lekë të reja secilin.
Seanca e radhës është caktuar të zhvillohet më 27 tetor, kur pritet të vijojë shqyrtimi i çështjes në ngarkim të Veliajt.
SPAK, me kërkesën e ngritur nga Altin Dumani, kërkoi që gjyqi i Veliajt të bëhet pa avokatë për sa kohë ata nuk paraqiten.
Gjykata caktoi avokatë nga lista e avokatëve të ndihmësve juridikë falas.
Anila Hoxha raporton se nuk ishte prezent asnjë i pandehur dhe asnjë avokat.
Altin Dumani ka deklaruar gjatë seancës, ku vijon bojkoti i të gjithë mbrojtësve ndaj GJKKO-së: “Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat.”
Në kohën kur gjykata po gjobiste avokatët që kundërshtonin Rregulloren, e cila u ndalon të gjithëve përdorimin e telefonit në sallë, i ra telefoni njërit prej prokurorëve të çështjes, Ols Dado. Ai e nxori nga xhepi dhe e mbylli menjëherë.


