Aktualitet

GJKKO-ja gjobit me nga 100 mijë lekë avokatët e kryebashkiakut Veliaj!

Bojkoti i avokatëve kundër rregullores së Gjykatës së Posaçme, GJKKO që ndalon celularët në sallat e gjyqeve solli dështimin e radhës të seancës ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj e të pandehurve të tjerë.

Gjykata e Posaçme vendosi të gjobisë me nga 100 mijë lekë të rinj avokatët që nuk u paraqitën në seancë, ndërsa Veliajt iu pezulluan sërish afatet e paraburgimit.

GJKKO-ja bëri të ditur se në seancën e radhës, më 27 tetor do të thërrasë avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë, për të përfaqësuar të pandehurit.

Kujtojmë se prej 7 shtatorit, avokatët kanë bojkotuar proceset në Gjykatën e Posaçme, duke kundërshtuar rregulloren e re që ndalon mbajtjen dhe përdorimin e celularëve në salla.