Opozita, e cila kundërshtoi shkrirjen e 15 bashkive, ka bojkotuar sot mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u diskutua propozimi i PS-së për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm për fazën e dytë të reformës territoriale.
Deputetja demokrate Jorida Tabaku akuzoi mazhorancën se humbi mundësinë për një reformë konsensuale, pasi sipas saj, synimi nuk ishte përmirësimi i qeverisjes vendore, por krijimi i një harte elektorale.
“Të jemi seriozë për rolin tonë si deputetë. Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën. Kjo kërkesë është kopje e asaj që parashikohej në objektin e vendimit të Kuvendit të tetorit të vitit të kaluar. Atëherë ju votuat kundër, ndërsa tani e sillni sërish për votim dhe jeni pro. Kjo nuk është serioze.
Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim. Komisioni duhej të prodhonte një rezultat të përbashkët, të mbështetur nga të dyja forcat politike. Në korrik të këtij viti, ne kërkuam që këtij komisioni, me këto objektiva, t’i shtyhej afati i veprimtarisë. Ju nuk pranuat. Kërkuam që komisionit t’i jepeshin edhe tre muaj kohë, pikërisht për të përmbushur këto detyra, por ju e refuzuat. Tani propozoni të njëjtën përmbajtje dhe të njëjtat objektiva.
Procesi kërkonte që produkti i miratuar javën e kaluar të ishte konsensual, në mënyrë që të vazhdohej me një paketë ligjore që do të synonte shëndoshjen e financave publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e kohezionit. Reforma që kemi bërë, zoti kryetar, është e njëjtë me atë të vitit 2015. Ajo prek vetëm një nivel të qeverisjes.
E keni kthyer Kuvendin në tallje. Kërkesat që keni refuzuar 3 muaj më parë i sillni këtu copy-paste dhe kërkoni t’i votoni”, tha Tabaku në mbledhje.
Lini një Përgjigje