Për mua, Erion Braçe mbetet një ekzistencialist i neveritshëm

Për mua, Erion Braçe mbetet një ekzistencialist i neveritshëm

Nga Ndriçim Kulla - 13/10/2026

Erion Braçen e kam respektuar përgjithësisht, ndonëse ai ka qenë për mua një personazh politik me të cilin nuk jam takuar asnjëherë, nuk kam pirë asnjë kafe dhe nuk kam shkëmbyer asnjë mesazh, çka do të thotë se respekti im nuk buronte nga ndonjë njohje personale, nga ndonjë afërsi apo interes i përbashkët, por vetëm nga përshtypja që më krijonte figura e tij publike, mënyra se si shfaqej në skenën politike dhe, mbi të gjitha, bindja se brenda kampit të Rilindjes, ku konformizmi shpesh duket si kusht i mbijetesës politike, ai përfaqësonte një përjashtim, një lloj autsajderi që, pavarësisht përkatësisë së tij partiake, ruante mendjen, idetë dhe njëfarë pavarësie në gjykim, sikur të kishte ende diçka të vetën për të mbrojtur përballë mekanizmit të madh të bindjes kolektive.

Në vështrimin e jashtëm, Erion Braçe të krijonte përshtypjen e një politikani antikonformist, të një njeriu që nuk e kishte përvetësuar plotësisht gjuhën e zakonshme të pushtetit dhe që, herë pas here, dukej sikur ruante një distancë kritike ndaj vetë mjedisit politik ku bënte pjesë; tek ai mund të shihje shenja të një individualiteti që nuk e pranonte lehtë uniformën e partisë, të një karakteri që donte të dukej se mendonte me kokën e vet dhe nuk i nënshtrohej pa kushte disiplinës së organizatës, prandaj, edhe pa e njohur nga afër, mund ta përfytyroje si një prej atyre personazheve që, brenda një strukture të mbyllur politike, përpiqen të ruajnë të paktën iluzionin e lirisë së tyre intelektuale.

Por në politikë, ashtu si në jetë, përshtypja nuk është provë, deklarimi nuk është karakter dhe pamja e një njeriu të lirë nuk mjafton për ta shpallur atë të tillë; prova vjen në çastin kur bindja personale vihet përballë interesit, kur ndërgjegjja duhet të zgjedhë midis asaj që mendon dhe asaj që i kërkon organizata, kur individi detyrohet të vendosë nëse do të ruajë dinjitetin e gjykimit të vet apo do ta dorëzojë atë përpara autoritetit që i garanton karrierën, mandatin dhe përfitimet që lidhen me të. Pikërisht në këto çaste, kur njeriu nuk mund të fshihet më pas fjalëve dhe kur vota e tij bëhet më e sinqertë se çdo deklaratë publike, kuptohet nëse kemi të bëjmë me një personalitet që e ushtron lirinë si përgjegjësi apo me një aktor që e përdor individualitetin si maskë, për aq kohë sa kjo maskë nuk rrezikon vendin e tij në hierarkinë e pushtetit.

Dhe, sipas gjykimit tim, vota e Erion Braçes për shkrirjen e Bashkisë së Divjakës e rrëzoi pikërisht këtë imazh që kisha krijuar për të. Përballë një vendimi të cilin qytetarët e Divjakës e kundërshtuan për muaj me radhë, duke protestuar kundër një mase që, sipas tyre, cenonte interesat e komunitetit dhe të drejtën e tij për të ruajtur një pushtet vendor më pranë qytetarit, Braçe zgjodhi të ngrinte dorën në të njëjtin drejtim me shumicën që e kishte vendosur këtë shkrirje, megjithëse pikërisht këta qytetarë e kishin votuar vazhdimisht si përfaqësuesin e tyre parlamentar, duke i dhënë jo vetëm një mandat politik, por edhe një besim që duhej të kishte kuptim përtej ditës së zgjedhjeve dhe përtej interesave të grupit parlamentar ku ai bën pjesë.

Këtu qëndron thelbi i zhgënjimit tim: jo thjesht te një votë e dhënë në përputhje me vullnetin e shumicës, sepse një deputet mund të ketë arsyet e veta për të mbështetur edhe një vendim të debatueshëm, por te kontradikta midis figurës së politikanit që pretendon, haptazi ose tërthorazi, se ruan një pavarësi personale dhe çastit kur kjo pavarësi vihet në provë nga një vendim që prek drejtpërdrejt komunitetin që e ka zgjedhur. Nëse qytetarët e Divjakës kanë protestuar për muaj të tërë, nëse ata e kanë parë te Braçe një përfaqësues të interesave të tyre dhe nëse ai, në fund, ka votuar për një masë që ata e kundërshtonin, atëherë pyetja nuk mund të shmanget: çfarë vlere ka individualiteti i një politikani, nëse ai zhduket pikërisht atëherë kur duhet të shndërrohet në veprim?

Këtu më lindi edhe  zhgënjimi i thellë për figurën e Braçes: mos vallë ajo që unë e kisha interpretuar si pavarësi ishte, në të vërtetë, vetëm një mënyrë e veçantë për të administruar marrëdhënien e tij me pushtetin, një hapësirë e kufizuar ku mund të shfaqej si individualist, për sa kohë që kjo nuk e vinte në rrezik përkatësinë e tij politike dhe përfitimet që rridhnin prej saj? Nuk mund ta di se çfarë ka menduar ai në çastin e votimit, as mund të pretendoj se njoh motivet e tij të brendshme, por një gjë është e qartë për mua: vota është një akt publik, ajo prodhon pasoja dhe, për rrjedhojë, mund të gjykohet mbi bazën e përgjegjësisë që mbart, pa qenë nevoja të shpikim motive të fshehta për ta kuptuar domethënien e saj politike.

Në këtë kuptim, ajo që më shqetëson nuk është nëse Erion Braçe ka të drejtë të mbetet pjesë e Rilindjes, sepse kjo është zgjedhja e tij politike, por nëse mund të vazhdojë të ruajë imazhin e një njeriu të pavarur, ndërkohë që, në një çështje kaq të rëndësishme për qytetarët që e kanë votuar, ai nuk e shndërroi këtë pavarësi në një qëndrim që të paktën të përfaqësonte me besnikëri shqetësimin e tyre. 

Prandaj, kur them se Erion Braçe më mbetet tash e tutje një ekzistencialist i neveritshëm, nuk e përdor këtë shprehje për të vënë në dyshim ndonjë doktrinë filozofike që ai mund të mos e ketë përvetësuar kurrë, por për të emërtuar një kontradiktë që më duket thelbësore: atë të individit që dëshiron të shfaqet si i lirë, por që, në çastin vendimtar, e vendos lirinë e vet nën hijen e interesit politik. Ekzistencializmi, në kuptimin e tij më serioz, e vendos njeriun përballë përgjegjësisë për zgjedhjet e veta; ai nuk e lejon të fshihet pas turmës, të justifikohet me urdhrat e të tjerëve apo të pretendojë se është i pafajshëm vetëm sepse ka vepruar brenda një mekanizmi më të madh se vetja. Njeriu është, në fund të fundit, edhe ajo që zgjedh të bëjë kur i vjen çasti i zgjedhjes, dhe asnjë maskë individualizmi nuk mund ta zëvendësojë këtë përgjegjësi.

 Për qytetarët e Divjakës, kjo nuk është një çështje filozofike, por një çështje konkrete besimi dhe përfaqësimi; për mua, që e shoh politikën edhe si një provë të ndërgjegjes njerëzore, ajo është një dëshmi se sa e lehtë është të luash rolin e individit të pavarur dhe sa e vështirë është të mbetesh i tillë kur liria të kërkon të paguash çmimin e saj. Erion Braçe mund të vazhdojë të flasë, të kundërshtojë në çështje të tjera dhe të ruajë një profil që e dallon nga shumë prej bashkëpartiakëve të tij, por pas kësaj vote, për mua, ai nuk mund të gëzojë më të njëjtin kredit moral që i kisha dhënë pa e njohur personalisht.

  Kjo është arsyeja pse, për mua, Erion Braçe mbetet tash e tutje një ekzistencialist i neveritshëm: jo për atë që mund të mendojë në vetmi, por për atë që ka zgjedhur të bëjë publikisht, në një çast kur qytetarët e Divjakës kishin nevojë që përfaqësuesi i tyre të dëshmonte se mandati nuk është pronë e deputetit, por një përgjegjësi që i detyrohet atyre që ia kanë besuar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco