Një nënë e gjashtë fëmijëve nga Oregoni, në SHBA, humbi të dyja këmbët, krahun e djathtë, pjesë të dorës së majtë dhe të buzëve, si dhe mbeti e paralizuar nga mesi e poshtë, pas komplikacioneve të rënda që pësoi pas një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e mitrës. 46-vjeçarja Trisha Stevens, nga qyteti Boring në Oregon, kërkon tashmë një dëmshpërblim prej 68.5 milionë dollarësh, duke pretenduar se mjekët nuk e diagnostikuan në kohë infeksionin që i shkaktoi shok septik.
Gruaja ka ngritur një padi kundër tre mjekëve dhe dy spitaleve në zonën e Portlandit, duke i akuzuar për neglizhencë mjekësore dhe vonesë në dhënien e trajtimit jetik. Në kohën kur iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, gjashtë fëmijët e saj ishin nga 7 deri në 21 vjeç. Për shkak të infeksionit, gruaja ishte shumë pranë vdekjes, por arriti të mbijetonte.
Megjithatë, pasojat e komplikacioneve ishin shkatërruese. Sot, Stevens përballet me aftësi të kufizuara të përhershme dhe dëmtime jashtëzakonisht të rënda fizike. Përmes padisë, ajo kërkon dëmshpërblimin prej 68.5 milionë dollarësh për pasojat e rënda që, sipas pretendimeve të saj, erdhën si rezultat i mosdiagnostikimit në kohë të infeksionit dhe vonesës në dhënien e trajtimit të duhur.
“Ka ditë kur ende nuk e di se çfarë ishte më e vështirë: fakti që për pak sa nuk vdiqa apo zgjimi dhe kuptimi i gjithçkaje që më ishte marrë”, tha Stevens për rrjetin televiziv KGW8, me bashkëshortin e saj, Brianin, i cili punon si zjarrfikës, pranë saj.Sipas padisë, kalvari i 46-vjeçares nisi më 4 tetor 2024, kur iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e mitrës dhe të tubave fallopiane në një qendër mjekësore të grupit Bridgetown Medical Group, në Portland.
Katër ditë më vonë, rezultatet e ekzaminimit histopatologjik treguan praninë e inflamacionit. Megjithatë, sipas padisë, kirurgu që kreu operacionin, doktor Alvin Nakamura, nuk i shqyrtoi këto rezultate.Në vend që problemi të identifikohej dhe të trajtohej, gjendja e Stevens u përkeqësua gradualisht. Gjatë dy javëve në vijim, ajo përjetoi dhimbje gjithnjë e më të forta në bark, pa u identifikuar shkaku i tyre.
Ajo tregoi se gjendja arriti kulmin kur, teksa po zbriste shkallët e tribunave gjatë një ndeshjeje futbolli amerikan të djalit të saj, ndjeu papritur sikur diçka po çahej dhe po këputej brenda trupit të saj. Më 22 tetor, ajo telefonoi klinikën e Nakamurës, duke raportuar gjakderdhje të vazhdueshme nga vendi i ndërhyrjes kirurgjikale, nxjerrjen e një mpiksjeje gjaku në madhësinë e një topi bejsbolli, temperaturë, diarre dhe dhimbje barku.
Sipas padisë, infermierja që iu përgjigj telefonatës e këshilloi të pushonte dhe të pinte shumë lëngje. Mjeku thuhet se e udhëzoi infermieren t’i rekomandonte pacientes të monitoronte gjakderdhjen në shtëpi dhe të shkonte në spital vetëm nëse nxirrte një tjetër mpiksje gjaku. Rreth 13 orë pas telefonatës, në orën 23:10, gjendja e 46-vjeçares u përkeqësua ndjeshëm dhe ajo u dërgua me urgjencë në repartin e urgjencës të spitalit Legacy Mount Hood.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ajo kishte rrahje jashtëzakonisht të shpejta të zemrës, tension të ulët të gjakut dhe frymëmarrje të shpejtë. Gjakderdhja ishte aq e rëndë, saqë i duhej të ndërronte tri peceta higjienike të mbushura plot me gjak çdo orë. Mjekët diagnostikuan peritonit, një inflamacion të peritoneumit, membranës që vesh zgavrën e barkut, acidozë laktike, e cila karakterizohet nga grumbullimi i acidit laktik në gjak, si dhe dëmtim akut të veshkave.
Më vonë, në qarkullimin e gjakut të saj u identifikuan baktere dhe u konstatua se ajo kishte pësuar shok septik, një gjendje jashtëzakonisht e rrezikshme që mund të çojë në dështimin e disa organeve dhe në vdekje. Sipas padisë, mjeku kujdestar Gregory Eilers e ekzaminoi pacienten rreth orës 03:24 të mëngjesit dhe konstatoi se skajet e plagës kirurgjikale nga heqja e mitrës ishin ndarë dhe kishin marrë një pamje të zbehtë. Ai diagnostikoi gjithashtu një infeksion në vendin e ndërhyrjes kirurgjikale.
Megjithatë, Stevens pretendon se mjeku nuk rekomandoi në atë moment një ndërhyrje kirurgjikale dhe as nuk kreu ekzaminimet e nevojshme për të përcaktuar nëse kishte infeksion brenda zgavrës së barkut, pavarësisht simptomave që sugjeronin këtë mundësi. Disa orë më vonë, kirurgu i përgjithshëm kujdestar, doktor Robert Azar, vlerësoi gjendjen e saj dhe rekomandoi administrimin e antibiotikëve. Edhe ky mjek është përfshirë në listën e të paditurve, pasi, sipas padisë, nuk rekomandoi ndërhyrje kirurgjikale për trajtimin e vatrës së infeksionit. Ndërkohë, infeksioni ishte përhapur në të gjithë organizmin e gruas, duke shkaktuar dështimin e disa organeve jetësore.
Komplikacionet rezultuan shkatërruese për 46-vjeçaren. Më 6 nëntor 2024, mjekët i amputuan të dyja këmbët mbi gju. Më pas, asaj iu amputua edhe krahu i djathtë, gishti i madh i dorës së majtë dhe pjesë të gishtave të tjerë të kësaj dore. Nekroza e indeve shkaktoi gjithashtu humbjen e pjesëve të buzëve dhe të gjuhës, ndërsa një dëmtim i palcës kurrizore e la të paralizuar nga mesi e poshtë. Në padinë e saj, Stevens pretendon se mjekët dhe spitalet përgjegjëse për kujdesin e saj treguan neglizhencë, duke vonuar trajtimin e infeksionit në zgavrën e barkut. Këto pretendime ende nuk janë shqyrtuar përfundimisht nga gjykata.
Avokati i saj, Rhett Fraser, përshkroi ndryshimin dramatik që ka pësuar jeta e gruas dhe e familjes së saj. “Para se të sëmurej, ajo ishte një nënë që i kushtohej tërësisht familjes dhe një pjesëtare aktive e saj, e pavarur në jetën e përditshme”, tha ai në një deklaratë për median Oregon Live. “Ajo kujdesej për familjen, menaxhonte përditshmërinë e shtëpisë, drejtonte makinën, gatuante, pastronte, ndiqte aktivitetet e fëmijëve dhe merrte pjesë plotësisht në jetën që kishte ndërtuar së bashku me bashkëshortin”, shtoi ai.
Sot, sipas avokatit të saj, Stevens nuk mund të hajë pa ndihmën e dikujt tjetër, ka vështirësi në shqiptimin e disa fjalëve dhe ka nevojë për kujdes të përditshëm për shkak të ulcerave dhe plagëve. 46-vjeçarja dhe familja e saj kërkojnë përmes gjykatës një dëmshpërblim prej 68.5 milionë dollarësh për pasojat e rënda dhe të përhershme që infeksioni pas operacionit ka shkaktuar në shëndetin dhe jetën e saj të përditshme. Çështja vijon të jetë në shqyrtim gjyqësor dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar lidhur me pretendimet për neglizhencë mjekësore.