Para se Edi Rama të nisej për në Luksemburg për të marrë pjesë në konferencën e radhës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, Marta Kos shpalli me të madhe se vendi ynë do të bëhej pjesë e një nisme me emrin ‘Qendra Evropiane për Rezistencën Demokratike’.
Kjo qendër, që synon së pari të ndalojë përpjekjet për dobësimin e institucioneve demokratike, është pjesë e një nisme akoma më të madhe, e cila njihet me emrin pompoz: Mburoja Evropiane për Demokracinë.
Thonë se nismat dhe qendrat me emra të mëdhenj si këto shërbejnë më së shumti për të thithur fonde e për të abuzuar me to, por kjo është vetëm një shprehi e gojëve të liga.
Në mënyrë paradoksale, Edi Rama po udhëton drejt Brukselit për t’u bërë pjesë e Mburojës Evropiane të Demokracisë pikërisht pak ditë pasi ka ‘përdhunuar’ publikisht institucionin më të rëndësishëm demokratik në vend, parlamentin shqiptar.
Duke ndjekur parimin e çdo lideri autokratik në botë ‘frikë dhe shpërblim’, ai vuri në rresht deputetët e partisë së tij për të votuar në mënyrë të njëanshme reformën territoriale.
Për ironi, miratimi në mënyrë konsensuale i reformës territoriale ishte kërkuar nga vetë Bashkimi Evropian në raportin e progresit të vitit të kaluar.
Kjo bëri që opozita shqiptare të bëhej pjesë e komisionit të posaçëm për reformën territoriale, i cili funksionoi shumë mirë deri në momentin kur Edi Rama vendosi papritur e në mënyrë të njëanshme të miratojë i vetëm reformën territoriale sipas oreksit të tij elektoral.
‘Përdhunimi’ i parlamentit, duke shuar edhe ato pak zëra nga krahu i tij që dolën kundër kësaj reforme me pasoja të rënda jo vetëm për qytetarët, por edhe për demokracinë e vendit, do jetë ‘dhurata’ e Edi Ramës në tavolinën e bisedimeve në Luksemburg.
Nuk dimë se si do ndjehen evropianët dhe vetë Marta Kos pas kësaj, por ky ishte veçse skandali i fundit i Edi Ramës.
Nëse i shtojmë edhe skandalin e Vlora Hysenit, historinë e KAYO-s, çështjen e Belinda Ballukut, forcimin e narkoshtetit e me dhjetëra të tjera, e kupton shumë mirë se Mburoja Evropiane i duhet Shqipërisë për ta mbrojtur nga Edi Rama, i cili nuk ka lënë institucion demokratik pa kontrolluar dhe shkatërruar në vendin tonë.
Derisa BE ta kuptojë një gjë të tillë, do ngjajë më së paku si hipokrite në sytë e shqiptarëve.
© SYRI.net