Nga Agim Xhafka - 12:08, 13/10/2026
1-
Xhevrija e rehatoi në burg çunin. Pasi për muaj e muaj kërkoi punë e s’gjeti gjë, e çoi të birin në birucë. U detyrua se ka dhe pesë fëmijë të tjerë e i shoqi Zyberi sjell pak lekë në shtëpi. Mbledh letra e kanoçe kazanëve. Gjithë dimrin biri do e kalojë atje me ujë, me drita, me tre vakte ushqim dhe me shoqëri. Bile ndonjëherë do t’i japin edhe hashash.
-Ma bëri fqinji, polic Nesti këtë nder,- tregon ajo. -I dha çunit 20 evro dhe i tha që t'ia fuste me forcë në xhepin e tij. Ndërkohë gruaja e Nestit e filmoi me celularin e Taqos, berberit të lagjes. Pastaj i çuan pamjet në komisariat. Erdhën forcat speciale me sirena dhe ma lidhën çunin. Ke dashur të korruptosh policin, i bërtisnin. Tre muaj burg, tha gjykatësi. Ndërsa Nesti u dekorua me medalje, iu rrit dhe rroga. Shkon tani nëpër shkolla dhe u flet nxënësve për gjestin e tij heroik. Nuk di si ta falenderoj këtë polic. S'gjej fjalë... Që mos iu heqtë kurrë kapelja nga koka. Amen!
Në qiell të shtatë Xhevrija nga që e sistemoi çunin.
2-
Iku dhe Bedriu. Boshatisi apartamentin dhe i ngarkoi të gjitha në makinën te oborri. U përqafuam me lot në sy. Mbushi 28 vjet fqinj me ne. Kur po na përshëndesnin me dorë, ai dhe e shoqja Berta, më tha gruaja:
-E dhanë me qira shtëpinë se nuk ia dilnin dot. Me dy pensione as ilaçet nuk paguanin. Mjerim i madh.
-Po vetë ku do banojnë? Te ndonjë i afërm, apo do shkojnë te qyteti ku lindën?
-Jo, jo. Morën një garsonierë andej nga Kamza. E kapën lirë. U ngelen ca para çdo muaj.
Bënë llogari të moshuarit. Dhanë me qira dhe morën me qira. Në këto hesape hyn kushdo që do të ruajë dinjitetin. Se kur nuk ta mbron shteti e mbron vetë. Do na marrë malli për miqtë e mij. Eh,…
-Shkojmë e i shohim ndonjë ditë,-më tha gruaja.
-I hypim autobusit se kemi dhe abone free,-doja t’i thoja, por m’u duk ironi që nuk i shkonte trishtimit.
Makina doli nga oborri. Na la pas tymin si lëndim të kohëve që jetojmë.
© SYRI.net