Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

PD nuk mbështet komisionin për territorialen, Tabaku: PS do një hartë elektorale! Blushi: Shantazhuat deputetët tuaj; përgjigjet Balla: Ikni në Kushtetuese

Shkruar nga Newsbomb
PD nuk mbështet komisionin për territorialen, Tabaku: PS do një
Deputetet Jorida Tabaku dhe Taulant Balla

Nisja e bisedimeve për Fazën e Dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, e cila parashikon ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar me afat 9-mujor, ka përplasur mazhorancën dhe opozitën në Konferencën e Kryetarëve, në Kuvend.

Deputetja Jorida Tabaku është larguar nga mbledhja dhe ka paralajmëruar se është e kot që Partia Demokratike të marrë pjesë në një proces që është trajtuar i njëanshëm që në fillim nga Partia Socialiste.

"Nuk besoj se ka vlerë të diskutojmë për të bërë një punë që e kishim për detyrë ta bënim, por që nuk u bë. Tani po ngrihet një komision tjetër, pasi komisioni i parë shërbeu vetëm për të vizatuar hartën", është shprehur ajo.

"Për çfarë arsyeje duhet të marrë pjesë opozita në këtë proces? Ky është një proces që kërkon besim. Komisioni duhej të prodhonte një rezultat të përbashkët, të mbështetur nga të dyja forcat politike."

Jorida Tabaku ka theksuar në Konferencën e Kryetarëve se miratimi i hartës së re të bashkive do duhej të ishte miratuar me konsensus, në mënyrë që të vazhdohej me një paketë ligjore që do të synonte shëndoshjen e financave publike, përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, rritjen e kapaciteteve dhe përfitimin nga fondet e kohezionit, por socialistët vazhduan të vetëm.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka akuzuar mazhorancën për shkelje të të drejtave të opozitës dhe ka kërkuar mbajtjen e një qëndrimi nga Kuvendi për pretendimet mbi kërcënimet ndaj deputetëve, në lidhje me votimin e reformës territoriale.

“Ky Kuvend konfirmoi se mbron vetëm interesat kriminale, mafioze dhe ekonomike të Edi Ramës. Miratimi i dhunshëm i hartës së shpopullimit shtroi nevojën që shqiptarët të zhbëjnë tani Kuvendin e krimit”, është shprehur ai.

“Kuvendi duhet të mbajë një qëndrim për kërcënimet mafioze ndaj deputetëve për të votuar nën shantazh hartën e shpopullimit”, vijoi Blushi, duke marrë rastet e Braçes dhe Spiropalit.

Ndërkohë, në përgjigje të këtyre reagimeve, veç qëndrimeve që janë mbajtur në Konferencën e Kryetarëve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka dalë dhe në një konferencë ppër mediat, duke sqaruar atë se çfarë ndodhi.

"Ka qenë vetëm Tedi Blushi në orarin përkatës dhe një zonjë që hynte e dilte. Parashtroi mendimin e grupit të PD. Të cilin nuk e kuptova shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim. Thonë nuk u zgjat mandati komisionit të posaçëm të territorit. Iku pa dëgjuar përgjigjen e kryetarit të Kuvendit dhe as timin", ka thënë ai, duke ju referuar deputetes Jorida Tabaku.

Taulant Balla ka kujtuar se edhe reformën e 12 viteve më parë, demokratët e çuan në Gjykatën Kushtetuese pasi nuk morën pjesë, ndaj i këshillon që njëlloj të veprojnë dhe tani.

"E çuan në Gjykatën Kushtetuese edhe në 2014. Dhe e njëjta Gjykatë Kushtetuese ka përcaktuar se cilat kritere duhet të përmbushë një reformë e tillë në raport me Kushtetutën. Jam i bindur se procedura e ndjekur nga Kuvendi në përputhje me Kushtetutën. Ta çojnë. A ka vendim që merret këtu dhe ata nuk e çojnë në Gjykatën Kushtetuese. E mbani mend se ç’bënë me Avokatin e Popullit", ka thënë Taulant Balla.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese