Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, ku u vendos asociimi formal i Shqipërisë me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike.
Ky hap synon forcimin e bashkëpunimit kundër dezinformimit, ndërhyrjeve të huaja në informacion dhe kërcënimeve ndaj proceseve demokratike. Hoxha theksoi se Shqipëria është e gatshme të ndajë përvojën e saj në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e institucioneve, duke nënvizuar se qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme.
Nga Luksemburgu, Hoxha tha se ky është një tjetër moment i rëndësishëm për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Vendimi i sotëm, sipas tij, është një tjetër shprehje konkrete e integrimit gradual në praktikë: sfida të përbashkëta, përgjigje të përbashkëta, përgjegjësi e përbashkët dhe kontribut i përbashkët për një Evropë më të fortë dhe më të qëndrueshme.
“Shqipëria ka krijuar një përvojë të vlefshme në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale. Jemi të gatshëm ta zhvillojmë më tej këtë ekspertizë dhe ta vëmë atë në shërbim të përpjekjeve tona të përbashkëta me partnerët evropianë. Njëkohësisht, po përballemi gjithnjë e më shumë me manipulimin dhe ndërhyrjen e huaj në hapësirën informative (FIMI), një sfidë që ka dëshmuar të jetë edhe më komplekse por edhe më sfiduese. Pasi ajo nuk synon të prekë vetëm sistemet, por edhe besimin; jo vetëm institucionet, por vetë themelet dhe strukturën e debatit demokratik”, tha Hoxha.
Duke iu referuar konferencës ndërkombëtare mbi FIMI-n dhe kontekstin e zgjerimit, të organizuar nga MEPJ në Tiranë më 27 korrik, Ministri theksoi gjithashtu nevojën për një qasje më të fuqishme dhe më të koordinuar në komunikimin publik.
“Një përgjigje që përfshin të gjithë shoqërinë mund të ketë sukses vetëm kur vetë shoqëria është e informuar, e ndërgjegjësuar dhe e angazhuar. Kur qytetarët në mbarë Evropën shohin shtetet anëtare dhe vendet kandidate të punojnë krah për krah për të mbrojtur qëndrueshmërinë demokratike, ata e kuptojnë zgjerimin për atë që është në të vërtetë: një investim i përbashkët në të ardhmen tonë të përbashkët. Për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme”, deklaroi Ministri.






Komente
Komento