Policia e Lezhës parandaloi një vrasje të mundshme për gjakmarrje në Kurbin dhe vuri në pranga një person, i cili dyshohet se do të bënte vetëgjyqësi për vrasjen e vëllait të tij në korrik të këtij viti.
37-vjeçari i arrestuar Emanuel Lika, ka ndryshuar dy herë mbiemrin. Blutë e arrestuan në Fushë-Milot teksa lëvizte i armatosur në një makinë të blinduar me targa gjermane. Policia i sekuestroi armën automatike "Skorpion” që e mbante në çantë, me një krehër me 16 fishekë, si dhe makinën Mercedes-Benz ML.
Emanuel Lila është banues në Kurbin, dhe sipas policisë është me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme. Edhe vëllai i tij, Ilir Lika, i cili u vra më 9 korrik në Kurbin, e kishte ndryshuar mbiemrin 3 herë.
Ekzekutor i dyshuar u identifikua fqinji i tij, Artur Suti, me të cikin kishte pasur disa herë konflikte, dhe nga ajo kohë, është shpallur në kërkim. Blutë dyshojnë se i arrestuari i sotëm, Emanuel Lika mund të kishte plan të vriste autorin në kërkim për ekzekutimin e vëllait të tij.
Njoftimi i plotë i Policisë së Lezhës
DVP Lezhë/Inteligjenca kriminale parandalon një tjetër vrasje, dyshohet për hakmarrje për vrasjen e shtetasit I. Gj., 40 vjeç, kryer më datë 9 korrik, në Kurbin.
Finalizohet operacioni i koduar “Argos”.
Lëvizte i armatosur dhe me automjet të blinduar, me targa gjermane, arrestohet në Fushë Milot, vëllai i 40-vjeçarit.
I arrestuari, shtetas me precedent kriminal.Sekuestrohen 1 armë zjarri automatike tip "Skorpion" municion luftarak dhe automjeti tip “Mercedes-Benz ML”.
Si rezultat i monitorimit permanent të situatës në qark, nëpërmjet punës intensive operative dhe kontrolleve, si dhe si rezultat i analizimit dhe ndjekjes në dinamikë të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve të lidhura me to dhe parandalimin e krimeve në përgjithësi, specialisët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Hetimit dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Argos”.
Në kuadër të operacionit u parandalua një vrasje, dyshohet për hakmarrje në lidhje me vrasjen e shtetasit I. Gj. alias I. L. alias I. K. alias I. N., 40 vjeç, kryer më datë 09.07.2026, në Kurbin.
Po në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi E.(G.) B.(L.), 37 vjeç, banues në Kurbin, me precedent për përfshirje në ngjarje kriminale të mëparshme (vëllai i 40-vjeçarit)
Automjeti tip “Mercedes-Benz ML”, i blinduar dhe me targa gjermane, që drejtonte 37-vjeçari, u ndalua në Fushë Milot. Gjatë kontrollit fizik, 37-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri automatike tip "Skorpion" me një krehër me 16 fishekë.
Vijojnë intensivisht hetimet dhe puna policore, për kapjen e autorit të vrasjes së 40-vjeçarit, si dhe për dokumentimin e rrethanave të saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë








Komente
Komento