web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet/ Ja sa do të tregtohen nafta dhe benzina

13 Tetor 2026, 12:39, Aktualitet CNA

Bordi i Transparencës ndryshon çmimet/ Ja sa do të tregtohen

Çmimi i naftës në tregun vendas është rritur sërish, duke arritur në 219 lekë për litër, nga 211 lekë për litër që ishte përcaktuar në vendimin e mëparshëm të Bordit të Transparencës, më 10 tetor. Brenda tri ditësh, nafta është shtrenjtuar me 8 lekë për litër, ose rreth 3.8%.

Sipas vendimit të ri të Bordit të Transparencës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë i naftës (gazoil) është përcaktuar në 219 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është rritur nga 199 në 207 lekë për litër, gjithashtu me 8 lekë.

Rritje ka shënuar edhe çmimi i benzinës, por në përmasa më të vogla. Çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 196 lekë për litër, nga 195 lekë që ishte më 10 tetor, ndërsa ai i shitjes me shumicë ka arritur në 184 lekë për litër, nga 183 lekë më parë.

Çmimet e reja hyjnë në fuqi më këtë të martë në orën 14:00, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës. 

Njoftimi i plotë: 

Bordi i Transparencës dhe Kufizimit të Përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe të gazit, në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 711, datë 16.09.2026 “Për shpalljen e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve”, në zbatim të nenit 21/3 dhe nenit 21/5 të Ligjit 8450, datë 24.2.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, të ndryshuar, si dhe të Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, zhvilloi mbledhjen e radhës.

Kështu Bordi i Transparencës në datë 13 Tetor 2026, vendosi:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 219 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 207 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 196 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 184 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 13 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. /CNA





Lajmet e fundit nga