TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një sërë videosh të manipuluara me inteligjencë artificiale që reklamojnë në Facebook produkte farmaceutive për prostatën me zërin dhe imazhin e mjekut Flamur Topi, kanë nxitur Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të bëjë sot një paralajmërim për qytetarët duke i këshilluar të kenë kujdes sepse bëhet fjalë për një skemë mashtrimi që synon marrjen e të dhënave bankare.
Siç bëri të ditur kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, institucioni është njoftuar nga familjarët e mjekut për video të manipuluara, të krijuara duke përdorur fragmente nga emisioni i tij "Trupi dhe shëndeti", i transmetuar në RTSH.
Sipas denoncimit, persona të paidentifikuar kanë përdorur inteligjencën artificiale për të manipuluar zërin e mjekut dhe për ta bërë të duket sikur po rekomandon produkte të caktuara farmaceutike. Pas verifikimit të rastit, AMA paralajmëron se këto materiale shfrytëzojnë besimin e publikut, veçanërisht të personave të moshuar, dhe mund të shpërndahen edhe përmes reklamave të sponsorizuara në rrjetet sociale.
AMA u bën thirrje qytetarëve të verifikojnë videot dhe reklamat që premtojnë shërimin e sëmundjeve, edhe kur në to shfaqen figura të njohura, të mos blejnë produkte shëndetësore pa u këshilluar me mjekun, të mos japin të dhëna personale apo bankare në faqe të dyshimta dhe të raportojnë videot apo reklamat e manipuluara në platformat ku publikohen.
"Jo çdo video që duket reale është e vërtetë" është mesazhi përmbyllës i AMA-s.