FMN jep shifrat për Shqipërinë, ja sa pritet të rritet ekonomia dhe në çfarë niveli parashikohet të jetë inflacioni

13/10/2026 13:17

Shqipëria pritet të regjistrojë një rritje ekonomike prej 3.5% gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të jetë në nivelin 3.2%.

Të dhënat janë pjesë e vlerësimeve të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ekonominë shqiptare.

Sipas parashikimeve, ekonomia e vendit do të vijojë të ruajë ritme pozitive rritjeje, pavarësisht pasigurive që karakterizojnë ekonominë globale, të ndikuara nga tensionet gjeopolitike, zhvillimet tregtare dhe luhatjet e çmimeve të energjisë.

Në raportin e tij, FMN vlerëson se ekonomia botërore do të përballet me një ngadalësim të rritjes ekonomike në 3.1% gjatë vitit 2026, përpara se të përshpejtohet në 3.4% në vitin 2027. Ndërkohë, inflacioni global parashikohet të rritet në 4.7% gjatë vitit 2026, përpara se të zbresë në 4.1% një vit më pas.

FMN paralajmëron se përshkallëzimi i konflikteve, tensionet e reja tregtare dhe pasiguritë ekonomike mund të ndikojnë negativisht në perspektivën globale.

Në këtë kontekst, për Shqipërinë, parashikimi për rritje ekonomike prej 3.5% dhe inflacion prej 3.2% për vitin 2026 paraqet ecurinë e pritshme të ekonomisë, në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare vijojnë të mbartin rreziqe për çmimet dhe aktivitetin ekonomik.

Top Channel