Aeroporti i Nurembergut mbyllet pas dyshimeve për një emergjencë ajrore: Avionë Eurofighter shoqëruan një fluturim nga Korfuzi
BILD
Policia gjermane ka bllokuar aeroportin e Nurembergut. “Dyshojmë për një emergjencë të mundshme ajrore. Megjithatë, kjo ende nuk është konfirmuar”, tha një zëdhënës i policisë. Fillimisht, ai nuk mundi të thoshte se sa efektivë ishin angazhuar për të rrethuar aeroportin.
Ndërhyrja e policisë ndodhi pak para uljes së një fluturimi nga ishulli grek i Korfuzit. Avioni duhej të ulej sipas orarit në Nuremberg rreth orës 12:15. Sipas të dhënave të Flightradar24, avioni i kompanisë Corendon Airlines, me numër fluturimi XR456, u ul i sigurt në orën 12:16.
Megjithatë, aeroporti do të mbetet i mbyllur për momentin dhe operacioni policor do të vazhdojë, tha një zëdhënës i aeroportit. Ai konfirmoi gjithashtu se avionë luftarakë Eurofighter e kishin shoqëruar avionin që vinte nga ishulli grek përpara uljes.
Edhe aeroporti e konfirmoi mbylljen në faqen e tij zyrtare. «Për shkak të një emergjence ajrore, operacionet e fluturimeve janë pezulluar për momentin», thuhet në njoftim.
Disa avionë që duhej të uleshin në Nuremberg pak më vonë u devijuan drejt Frankfurtit, Memmingenit, Shtutgartit ose Mynihut. Sipas informacioneve të gazetës BILD, në aeroport mund të jetë angazhuar edhe njësia speciale e policisë SEK.
Trafiku ajror ishte ndërprerë edhe gjatë natës
Një sinjalizim i mundshëm për shikimin e një droni kishte shkaktuar probleme në trafikun ajror në aeroportin e Nurembergut që gjatë natës mes së hënës dhe së martës.
Sipas policisë, tre pilotë raportuan në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri se kishin parë një objekt gjatë ngritjes ose uljes së avionëve. Dyshohet se objekti mund të ketë qenë një dron.
Sipas raportimeve, objektet u panë mes orës 2:00 dhe 4:00 të mëngjesit. Policia kufitare kërkoi objektin e raportuar, ndërsa në operacion u angazhua edhe një helikopter policie. Megjithatë, kërkimet nuk dhanë rezultat.
© SYRI.net