Ekzekutoi tre vite më parë Ardian Nikulajn, shtyhet seanca në Gjykatën e Apelit për portugezin Rubens Saraiva

13/10/2026 15:08

Gjykata vendosi që të pandehurit t’i vihet në dispozicion, nga Gjykata e Apelit, në gjuhën që Rubens Saraiva kupton, vendimi i shkallës së parë dhe ankimi.

Duke qenë se nuk ka pasur kërkesë as nga avokati dhe as nga i pandehuri që vendimet t’i vihen në dispozicion në gjuhë të huaj, pezullohen afatet e paraburgimit.

Gjykata vendos që përkthyesi që asiston në seancën gjyqësore të bëjë përkthimin e vendimit të shkallës së parë dhe të ankimit. Seanca e radhës: 10 nëntor 2026, ora 12:30.

Ngjarja ka ndodhur në 19 prill 2023 në lokalin e tij në Shëngjin. Gjykata e shkallës së parë Lezhë e ka dënuar portugezin Saraiva me burgim të përjetshëm. Në sallë ishin të pranishëm edhe familjarë të Nikulajt.

Biseda gjatë seancës: 

Cakran: Asnjë akt procedural nuk i është paraqitur të pandehurit në gjuhën që ai kupton, në anglisht apo portugalisht, që në fazën e hetimit, gjykimin në shkallë të parë, i janë cenuar të gjitha të drejtat.

Saraiva: Unë nuk jam njohur me asnjë dokument.

Prokuroria: I pandehuri duhet të jetë i njohur me ankimin, avokati duhet t’ia kishte vendosur në dispozicion në gjuhën angleze dhe portugeze që të njihet me ankimin e bërë kundër vendimit të shkallës së parë. Prokurorja Balla duhet së pari i pandehuri të njihet dhe të qartësohet me ankimin dhe më pas të diskutohen çështjet e tjera. Duhet t’i njihet ankimi.

Gjykata: A ia keni vënë në dispozicion ankimin të pandehurit? A e keni vënë në dijeni që është bërë ankim?

Cakrani: Unë s’e kam takuar, pasi më duhet të marr përkthyes me vete, por nuk më është lejuar. Kam bërë disa herë kërkesa Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, por nuk kam marrë një përgjigje, sepse kam tentuar ta takoj me përkthyes.

Gjykata: Si e vlerëson pretendimin që keni paraqitur me shkaqet e ankimit, ju keni pasur të drejtën për të bërë ankim? Duhet të ishin marrë masat nga ana juaj që të na vinit në dispozicion në mënyrë të përmbledhur kërkesat. Gjykata, nëse do të ishte në dijeni, mund të kishte parë hapësirën ligjore si mund t’i garantohej kjo e drejtë.

Cakrani: Të pandehurit nuk i është vënë në dispozicion asgjë, në gjuhën që ai kupton. Qëndrimi është i drejtë, i pandehuri duhet të njihet me ankimin në gjuhën që ai kupton.

Rubens Saraiva: Jam dakord me avokatin.

Avokati i viktimës: Nëse për dobi të procesit t’i jepet mundësia nëpërmjet përkthyesit, për aktet e tjera gjatë gjykimit i janë dhënë në gjuhën angleze, i ka pasur, po ashtu në çdo seancë ka pasur përkthyes. Të mos bëhemi shkak për shtyrje seance, por të ndërpritet seanca.

Saraiva: E kam marrë vendimin e shkallës së parë, por është në gjuhën shqipe, unë nuk e kuptoj dhe nuk kam firmosur asgjë. Unë nuk do të firmos asgjë nëse vjen në gjuhën shqipe, pasi unë nuk e kuptoj.

Saraiva: Gjithçka që u tha në Lezhë, unë e kam përmendur, nuk më është thënë asgjë në anglisht. Në një seancë që unë shkova në Lezhë, se nuk kisha avokat, kam kërkuar të shtyhet seanca, por ata vendosën të shtynin hetimet e mia pa qenë avokati. Seancën e radhës i pyeta ku janë aktet e mia dhe ata më thanë se është përgjegjësi e avokatit, dhe ne kemi ardhur në Gjykatën e Apelit për këtë.

Top Channel