Pas më shumë se gjashtë dekadash pa u shfaqur në publik, “Pemët e gështenjës në lulëzim” e Vincent van Gogh tërhoqi qindra njerëz në Hong Kong. Të martën, vizitorët mbajtën radhë për ta parë nga afër veprën, e cila do të ofrohet për shitje më 18 nëntor në Sotheby’s në Nju Jork. Vlera e parashikuar e shitjes arrin në 180 milionë dollarë.
Të lidhura
None found
Në qendër të kompozimit qëndron një gështenjë e madhe e lulëzuar, kurora e dendur e së cilës mbulon pjesën më të madhe të pikturës. Van Gogh e krijoi veprën në maj të vitit 1890, gjatë qëndrimit në fshatin francez Auvers-sur-Oise. Ajo renditet mes punimeve më të rëndësishme të fazës së fundit të jetës së artistit holandez, i cili vdiq rreth dy muaj më pas, në moshën 37-vjeçare.
Scott Nitchel, drejtues i departamentit të artit modern dhe bashkëkohor të Sotheby’s në Nju Jork, vlerëson se kjo pikturë mund të vendosë një rekord të ri ankandi për veprat e Van Gogh-ut. Sipas përshkrimit të tij, në të shfaqen optimizmi, gjallëria, entuziazmi dhe ngjyrat e forta që dallonin krijimtarinë e artistit në atë periudhë.
Për ta parë pikturën, Li Shanshan, 50 vjeç, udhëtoi rreth dy orë e gjysmë nga qyteti kinez i Shenzhen-it drejt Hong Kongut. Ai tha se nuk kishte dëgjuar më parë për këtë vepër dhe se pikërisht kjo e kishte shtyrë të shkonte për ta parë vetë.
Në të njëjtin ankand do të ofrohen edhe 11 piktura të tjera, të cilat gjithashtu kanë munguar prej kohësh në ekspozime publike. Mes veprave të këtij koleksioni ka punime të Paul Cézanne dhe Claude Monet. Në fund të shtatorit, Sotheby’s në Londër prezantoi pesë prej tyre, përfshirë “Harlequin” të Cézanne dhe “Kopshti i Qeramikës” të Monet.
Rrugëtimi i pikturës nga një pronar te tjetri nisi pas vdekjes së Van Gogh-ut, në korrik të vitit 1890. Fillimisht ajo i kaloi vëllait të artistit, Theo, e më pas bashkëshortes së tij, Johanna van Gogh-Bonger, dhe djalit të tyre, Vincent Willem.
Një nga blerësit e mëvonshëm ishte Samuel Fischer, botuesi gjerman që themeloi shtëpinë botuese S. Fischer Verlag. Më tej, piktura u përfshi në koleksionin e amerikanit George “Buddy” DeSilva, kompozitor dhe producent, si dhe një prej bashkëthemeluesve të Capitol Records.
Koleksionistja Harriet Harris-Jonas e bleu veprën në vitin 1953. Koleksioni i saj i rëndësishëm i artit kishte bërë që Muzeu Metropolitan i Artit në Nju Jork të organizonte vizita për mbështetësit në apartamentin e saj në Fifth Avenue, ku ata mund të shihnin punimet që ajo zotëronte.
Nëpërmjet tregtarit të artit Wildenstein, familja Blackie e bleu pikturën në vitin 1975. Prej atëherë, vepra mbeti jashtë vëmendjes së publikut deri kur u prezantua në Hong Kong, në prag të ankandit të shumëpritur në Nju Jork.







