Alarm në aeroportin e Nurembergut në Gjermani, mbyllet përkohësisht pas një incidenti të dyshuar në fluturim

Aeroporti i Nurembergut në Gjermani u mbyll përkohësisht të martën, më 13 tetor, pasi dyshimeve për një incident gjatë një fluturimi nga Korfuzi. Pas kontrolleve në terren, autoritetet konfirmuan se nuk kishte rrezik.
Alarmi u dha pak para uljes së avionit që po udhëtonte nga ishulli grek i Korfuzit drejt Nurembergut. Policia rrethoi zonën e aeroportit dhe ndërmori një operacion sigurie, ndërsa në vendngjarje u raportua edhe prania e njësisë speciale të policisë, SEK.
“Po veprojmë mbi bazën e dyshimeve për një incident emergjent gjatë fluturimit, megjithëse kjo ende nuk është konfirmuar”, deklaroi fillimisht një zëdhënës i policisë.
Në një njoftim të mëvonshëm, autoritetet sqaruan se bëhej fjalë për një fluturim të rregullt nga Korfuzi, i cili ishte ulur normalisht në Nuremberg.
“Kontrollet në vendngjarje treguan se nuk ka rrezik”, njoftoi policia.
Sipas raportimeve të medias gjermane BILD, avionin e kishin shoqëruar edhe avionë luftarakë Eurofighter përpara uljes.
Për shkak të operacionit, aeroporti njoftoi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve.
“Operacionet e fluturimit janë pezulluar përkohësisht për shkak të një emergjence gjatë fluturimit”, thuhej në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të aeroportit.
Disa avionë që pritej të uleshin në Nuremberg u devijuan drejt aeroporteve të tjera gjermane, përfshirë ato të Frankfurtit, Memmingenit, Shtutgartit dhe Mynihut.
Dyshime për një dron disa orë më parë
Incidenti ndodhi disa orë pasi një tjetër alarm kishte shkaktuar ndërprerje në trafikun ajror të aeroportit, pas raportimeve për praninë e mundshme të një droni.
Sipas policisë, tre pilotë kishin raportuar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri se kishin parë një objekt të dyshimtë gjatë ngritjes ose uljes së avionëve.
Autoritetet nisën kërkimet për identifikimin e objektit, me ndihmën edhe të një helikopteri policie, por kontrollet nuk dhanë rezultat.




