Papa Leoni XIV shtrohet në spitalin Gemelli për ndërhyrjen kirurgjikale në mushkëri

13:37, 13/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

 Papa Leoni XIV është paraqitur në Poliklinikën Universitare “Agostino Gemelli” për t’u shtruar në spital.

Gjatë pasdites së sotme, Ati i Shenjtë do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për trajtimin e nodulit në mushkëri. Operacioni do të kryhet nga ekipi mjekësor i kirurgjisë torakale, i drejtuar nga profesor Stefano Margaritoro.

Papa përshëndeti njerëzit e mbledhur jashtë Vatikanit nga dritarja e makinës me të cilën u transportua drejt spitalit Gemelli, ku tradicionalisht trajtohen papët.

Zyra e shtypit e Vatikanit bëri të ditur se mjekët presin që rikuperimi të zgjasë rreth një javë. Kjo do t’i mundësonte Papës të nisej sipas planit, më 6 nëntor, për vizitën e tij në Amerikën Latine.

Udhëtimi 11-ditor do të përfshijë Uruguain, Argjentinën dhe Perunë, një vend me rëndësi të veçantë për Papën, i cili punoi atje si misionar për dy dekada dhe mori edhe shtetësinë peruane.

Çfarë është një nodul pulmonar?

Një nodul pulmonar është një formacion i vogël indi në mushkëri. Shumica janë beninjë, që do të thotë se nuk janë kancerogjenë. Megjithatë, një përqindje e vogël mund të përfaqësojë një fazë të hershme të kancerit të mushkërive.

Shumica e nodujve të vegjël nuk shkaktojnë simptoma dhe zbulohen rastësisht gjatë kontrolleve për probleme të tjera shëndetësore.

Nodujt më të mëdhenj mund të shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje, dhimbje gjoksi dhe kollë të vazhdueshme, ndonjëherë të shoqëruar me gjak.

Ndërhyrja zakonisht kryhet nën anestezi të përgjithshme, ndërsa pacienti merr frymë përmes një tubi.

 Informacione të mëtejshme do të bëhen të ditura gjatë mbrëmjes së sotme.  

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco