Zelensky akuza Rusisë: Nuk respektoi thirrjen e Trump për armëpushim

13 Tetor 2026, 14:10Bota TEMA
Zelensky akuza Rusisë: Nuk respektoi thirrjen e Trump për

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Ukraina ka ndaluar për dy ditë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pas njoftimit të presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim në infrastrukturën energjetike mes Rusisë dhe Ukrainës. Megjithatë, sipas Zelenskyt, Moska ka vijuar sulmet ndaj territorit ukrainas, duke goditur objektiva energjetike dhe infrastrukturë civile. Në reagimin e tij, Zelensky tha se Rusia nuk e kishte marrë parasysh thirrjen e Trump, ndërsa theksoi se gjatë dy ditëve Ukraina ishte përmbajtur nga sulmet ndaj rafinerive ruse. Sipas tij, forcat ruse kanë vijuar goditjet ndaj objekteve energjetike dhe infrastrukturës kritike të Ukrainës.

“Gjatë kësaj kohe, rusët kanë sulmuar si objektet tona energjetike, ashtu edhe infrastrukturën tonë kritike, duke dërguar sinjale absolutisht të qarta se nuk kanë ndërmend të përmbahen nga sulmet ndaj Ukrainës. Nëntëmbëdhjetë rajone të vendit tonë janë sulmuar vetëm në këto dy ditë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Zelensky theksoi se Kievi mbetet i gatshëm për hapa të ndërsjellë që do të ulnin tensionet, por sipas tij, për këtë nevojitet presion efektiv ndërkombëtar ndaj Rusisë. “Qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar: Ukraina është gati për hapa reciprokë drejt uljes së tensioneve dhe nevojitet presion efektiv mbi Rusinë që të ndodhë kjo ulje e tensioneve. Luftërat mbarojnë kur agresori e kupton se nuk mund ta zgjasë luftën”, u shpreh ai.

Presidenti ukrainas foli edhe për sulmet ruse gjatë natës, duke thënë se Moska kishte përdorur më shumë se 100 mjete të ndryshme sulmi, përfshirë dronë reaktivë, municione fluturuese dhe raketa balistike. Sipas Zelenskyt, një ndërtesë banimi në Kharkiv u shkatërrua gjatë bombardimeve. Operacionet e shpëtimit vijuan për orë të tëra, ndërsa ekipet e emergjencës kërkonin të mbijetuar nën rrënoja. “Një ndërtesë e zakonshme banimi u shkatërrua në Kharkiv; operacioni i shpëtimit vazhdoi pothuajse gjithë natën, ndërsa ekipet e ndihmës së shpejtë kërkonin njerëz nën rrënoja. Katër persona u vranë në këtë sulm ndaj ndërtesës në Kharkiv. Ngushëllimet e mia për të gjitha familjet dhe të dashurit e tyre. Vetëm në Kharkiv, 41 persona u plagosën vetëm në një mbrëmje”, deklaroi ai.

Ndërkohë, Kievi u godit nga një sulm me raketa balistike. Zelensky tha se pesë raketa goditën infrastrukturën civile dhe ngriti shqetësimin për mungesën e paralajmërimit paraprak nga partnerët ndërkombëtarë.

“Pati gjithashtu një sulm veçanërisht të rëndë me raketa balistike në Kiev – pesë raketa që goditën infrastrukturën civile. Fatkeqësisht, nuk morëm asnjë paralajmërim të hershëm nga partnerët tanë për këtë sulm. Inteligjenca mbi lëshimet e raketave balistike ruse ndihmon në shpëtimin e jetëve dhe kjo është një nga çështjet më kritike. Kjo është pikërisht ajo që ndihmon në parandalimin e vrasjes së njerëzve – kur ka një paralajmërim të hershëm për raketat balistike”, u shpreh presidenti ukrainas.

Lini një Përgjigje