Një avion pasagjerësh që mbërriti në Tel Aviv u evakua në një pistë të izoluar pas një kërcënimi me bombë. Fluturimi i "Delta Air Lines" nga Nju Jorku kishte zbritur tashmë në aeroportin "Ben-Gurion", kur u mor një mesazh alarmues. Sipas medias izraelite "Ynet", mesazhi pretendonte se në bordin e avionit të mbushur plot me pasagjerë ndodhej një mjet shpërthyes. Pasagjerët e përfshirë nga paniku u nxorën me urgjencë nga avioni dhe u dërguan në terminal, ndërsa mjeti fluturues u largua nga zona kryesore e aeroportit. Ekipet e sigurisë kryen kontrolle të imtësishme, por nuk gjetën asgjë të dyshimtë, raporton media në fjalë.