
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi të martën në Konferencën e Kryetarëve ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të reformës administrativo-territoriale, që do të shqyrtojë ndryshime ligjore që lidhen me funksionimin e pushtetit vendor.
Kërkesa vjen vetëm pak ditë pasi Kuvendi vetëm me votat e mazhorancës votoi një hartë të re territoriale duke zvogëluar numrin e njësive vendore nga 61 në 46 bashki, ndërsa komisioni i posaçëm bipartizan i ngritur për realizimin e reformës territoriale të plotë mbylli punën pa produkt final.
Për mazhorancën, rivijëzimi I kufijve administrativë të vendit konsiderohet vetëm faza e parë e kësaj reforme ndaj ajo kërkon një fazë të dytë, ku puna do të përqendrohet te funksionet dhe shërbimet vendore, financat e bashkive dhe krijimi i një niveli funksional rajonal.
Socialistët argumentojnë se ndryshimet e mëtejshme ligjore janë të nevojshme për të forcuar kapacitetet e bashkive dhe për të garantuar financimin e kompetencave që do t’u kalohen atyre.
Komisioni i propozuar nga PS shmang modelin bipartizan me dy bashkëkryetarë, por propozon drejtimin nga mazhoranca dhe zv.kryetar nga pakica parlamentare.
Detyrat e komisionit të ri që propozohet parashikojnë shqyrtimin dhe propozimin e ndryshimeve në ligjet për vetëqeverisjen vendore, financat vendore dhe zhvillimin rajonal, si dhe hartimin e projektligjeve që lidhen me decentralizimin administrativ e fiskal.
Një tjetër detyrë do të jetë ndjekja e zbatimit të ndarjes së re territoriale dhe masat për funksionimin e bashkive të reja përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Procesi parashikohet të përfshijë konsultime me bashkitë, shoqatat e tyre, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, si dhe mbështetjen e një grupi ekspertësh vendas e të huaj. Socialistët kërkojnë që puna të zhvillohet mbi bazën e të dhënave dhe konsultimeve të gjera, me synimin për të arritur konsensus mes forcave parlamentare për ndryshimet ligjore që do të shoqërojnë fazën e dytë të reformës.
Partia Demokratike nuk ka ende një qëndrim politik nëse do të marrë pjesë në komision por deputetë të saj kundërshtuan të martën kërkesën e PS-së duke e akuzuar për bojkot të qëllimshëm të realizimit të reformës në komisionin e mëparshëm, i cili ishte ngritur mbi të njëjtat objektiva.
Deputetja Jorida Tabaku i tha BIRN se kjo që po bën PS është një tallje me punën e Kuvendit dhe se të gjitha çështjet për të cilat kërkohet ky komision I dytë ishin elementë të punës në komisionin e parë.
“Komisioni i parë u ngrit mbi këto elementë dhe nuk prodhoi dot një reformë territoriale të plotë, por prodhoi vetëm një hartë”- tha ajo.






