Objektet e konfiskuara për shkelje të lejeve të ndërtimit do të mund të përfundojnë me ndërhyrjen e shtetit dhe më pas t’u dorëzohen qytetarëve që kanë lidhur kontrata për blerjen e apartamenteve.
Ky është një nga ndryshimet kryesore të projektligjit për administrimin e pasurive të konfiskuara, që synon të zgjidhë edhe situatën e blerësve që kanë paguar për prona në ndërtesa të papërfunduara.
Kryeadministratorja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK), Risena Xhaja, shpjegoi në Komisionin parlamentar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale se ndryshimet në ligjin nr. 66/2023 parashikojnë jo vetëm konfiskimin e objekteve, por edhe përfundimin e punimeve dhe dorëzimin e pronave te personat që kanë të drejta kontraktore mbi to.
Sipas Xhajës, ligji aktual parashikon konfiskimin, por nuk detyron përfundimin e ndërtimeve. Projektligji synon të plotësojë këtë mangësi, duke u dhënë mundësi qytetarëve që kanë lidhur kontrata sipërmarrjeje apo premtim-shitjeje të marrin pronat e blera, pasi të verifikohen të drejtat e tyre.
Si do të verifikohen blerësit dhe do të përfundojnë punimet?
Sipas projektligjit, do të ngrihet një grup pune për të kontrolluar kontratat e lidhura përpara noterit dhe për të identifikuar përfituesit e ligjshëm të pasurive.
Paralelisht, AAPSK do të vlerësojë gjendjen fizike të objekteve, investimet e kryera dhe punimet që kanë mbetur. Më pas do të vijojnë procedurat për prokurimin e projektimit dhe përfundimin e ndërtimeve.
Të ardhurat nga shitja e pasurive të konfiskuara do të përdoren për financimin e punimeve të nevojshme, me synimin që objektet të përfundojnë dhe të jenë të përshtatshme për përdorim.
16 objekte në procedurën e parablerjes
Gjatë diskutimit në komision, Xhaja bëri të ditur se aktualisht janë 16 objekte që i nënshtrohen procedurës së parablerjes. Bëhet fjalë kryesisht për ndërtime ku janë konstatuar shkelje të lejes, si tejkalime të volumit të miratuar apo shtesa në objektet ekzistuese.
Sipas saj, e drejta e parablerjes do të jetë e vlefshme për subjektet që kanë tejkaluar lejen e ndërtimit dhe jo për ato që kanë ndërtuar tërësisht pa leje.
Pasuritë e konfiskuara edhe për strehim social
Projektligji parashikon zgjerimin e kategorive që mund të përfitojnë nga pasuritë e konfiskuara. Përveç institucioneve, në këtë kategori do të përfshihen edhe strehimi social dhe shoqëria civile.
Mekanizmi për strehimin social do të nisë me kërkesat që Ministria e Ekonomisë do të paraqesë për nevojat e saj. AAPSK do të identifikojë pasuritë e përshtatshme, ndërsa kalimi i tyre do të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Pasuritë që do të përdoren për strehim social duhet të jenë të përfunduara dhe të plotësojnë standardet e nevojshme për banim.
Një tjetër ndryshim parashikon përjashtimin e investitorëve nga përfitimi i pasurive të konfiskuara, me qëllim shmangien e përfitimeve nga subjektet e përfshira në zhvillimin e ndërtimeve.
Legalizimet, jashtë projektligjit
Xhaja sqaroi se procedurat e legalizimit nuk përfshihen në këtë projektligj. Subjektet do të duhet të vetëdeklarojnë situatën e tyre lidhur me legalizimin, ndërsa rastet që nuk plotësojnë kushtet dhe afatet e parashikuara nga legjislacioni përkatës do të trajtohen sipas procedurave të konfiskimit.
Ndryshimet e propozuara synojnë që konfiskimi të mos mbetet vetëm marrje e pasurisë nga shteti, por të shoqërohet edhe me përfundimin e objekteve dhe dorëzimin e apartamenteve te qytetarët që provojnë të drejtat e tyre kontraktore.
Zbatimi i mekanizmit do të varet nga verifikimi i kontratave, gjendja e ndërtimeve dhe procedurat që do të përcaktohen në ligj.
Lini një Përgjigje