Të zhgënjyer nga drejtësia, familjarët e Ilirjan dhe Hektor Banajt në Patos kundërshtojnë vendimin e Gjykatës së Fierit për shuarjen e dënimit me 25 vite burg të Sokol Hoxhës, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në vitin 1997. Pas 3 dekadash, nëna e dy vëllezërve kujton me dhimbje ditën kur mori vesh për vrasjen e djemve, njëri prej të cilëve la pas një fëmijë vetëm 20 muajsh, ndërsa tjetri ishte vetëm 20 vjeç. Motra e tyre e cilësoi vendimin si një goditje të dytë për familjen, duke shprehur pakënaqësinë që familjarët nuk u thirrën për të qenë palë në procesin gjyqësor.