Shqipëria bën një tjetër hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot, në Luksemburg, në kuadër të konferencës së dhjetë ndërqeveritare Shqipëri-BE, pritet të mbyllet përkohësisht Kapitulli 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”.
Lidhur me këtë zhvillim ka folur për Report Tv Nirvana Deliu, eksperte për çështjet e integrimit, shpjegon se vlerësimi i vështirësisë së një kapitulli negociues nuk varet vetëm nga fusha dhe tematika që ai mbulon, por edhe nga niveli i përgatitjes së vendit kandidat. Sipas saj, Shqipëria ka pasur një nivel mbi mesatar të përgatitjes për Kapitullin 20.
“Janë disa kapituj që konsiderohen më të lehtë për t’u mbyllur. Megjithatë, për të vlerësuar nëse një kapitull është i lehtë apo jo, duhen marrë në konsideratë disa elemente, përveç fushës dhe tematikës që ai mbulon. Duhet parë edhe niveli i përgatitjes që ka një vend. Shqipëria, për shembull, në rastin e Kapitullit 20, ka pasur një nivel mbi mesatar të përgatitjes. Kjo do të thotë se, për sa i përket kuadrit legjislativ, ne kemi qenë mirë dhe kemi qenë deri diku të përafruar me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Në pozicionin negociues të Shqipërisë për këtë kapitull, detyrat që na kishte lënë Bashkimi Evropian nuk kishin në fokus legjislacionin, por ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që të gjitha institucionet dhe aktorët e përfshirë të kishin mundësinë të zbatonin siç duhet politikat dhe legjislacionin që tashmë është miratuar."-shprehu Deliu.
Sipas ekspertes, përtej mbylljes së këtij kapitulli, sfidë mbetet ritmi i përgjithshëm i negociatave. Nëse Shqipëria synon t’i qëndrojë planit për mbylljen e të 33 kapitujve deri në dhjetor të vitit 2027, ritmi duhet të përshpejtohet.
"Nëse duam t’i qëndrojmë rigorozisht planit që kemi hartuar, sipas të cilit deri në dhjetor të vitit 2027 duhet të mbyllim të 33 kapitujt, duhet të themi se ritmi nuk është ai që pritej. Pritshmëritë ishin që, të paktën deri në fund të vitit 2026, të kishim përfunduar punën dhe të kishim mbyllur minimumi 10 nga 33 kapitujt. Ndërkohë, sipas llogaritjeve të deritanishme, kemi mbyllur vetëm katër kapituj nga 33 dhe nuk kanë mbetur edhe shumë muaj deri në fund të vitit 2026. Duhet të shohim gjithashtu se sa herë të tjera mund të zhvillojmë konferenca ndërqeveritare për Shqipërinë.”- përfundoi ekspertja.






Komente
Komento