Përplasje të ashpra në protestë; 13 të lënduar, mes tyre protestues, policë, gazetarë dhe kalimtarë

13 Tetor 2026 | 14:42

Studentë dhe qytetarë të shumtë po vijojnë ende protestën para ambienteve të Ministrisë së Arsimit. Protesta ka nisur me thirrje dhe tensione dhe po vazhdon me ndezjen e disa zjarreve para godinës.

Lidhur me incidentet e ndodhura policia ka shoqëruar 23 persona. Ndërkaq, protesta ka pasur dhe të lënduar për shkak të përplasjeve fizike dhe mjete te ndryshme që janë hedhur. 6 efektivë deri më tani raportohet që kanë marrë ndihmë mjekësore.

Fasada e Ministrisë së Arsimit gjatë ditës së sotme është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë.  Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës.Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.

“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë. Protesta ka nisur në orën 14:00, teksa nuk dihet sesa do të zgjasë. Ata theksojnë se janë ngritur në protestë për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë në arsim.

Lajm në përditësim…

22 Updates
22:57

Protesta në Tiranë, ministrja e Shëndetësisë: 7 persona po trajtohen te Trauma, mes tyre 4 protestues

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodjana Spahiu përmes një video mesazhi bëri me dije spitalin e Traumës vijojnë të marrin trajtim shtatë persona, ndërsa disa të tjerë janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Spahiu tha se në Spitalin Universitar të Traumës po trajtohen aktualisht një punonjëse policie, katër protestues dhe dy kalimtarë. Të shtatë personat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, nga i njëjti spital janë larguar pasi kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor gjashtë efektivë të forcave speciale, dy përfaqësues të medias dhe katër kalimtarë.

Edhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë marrë trajtim mjekësor persona të lënduar gjatë protestës, bëri me dije ministrja e Shëndetësisë.

🔗 Shpërndaje
22:25

Protestuesi i lënduar tek Trauma: Policët më këputën këmbën

Protesta e nisur prej më shumë se 7 orësh në Tiranë është shoqëruar me përplasje të dhunshme mes policisë dhe protestuesve.
Mbi 13 persona kanë mbetur të lënduar mes të cilëve policë, gazetarë, protestues dhe kalimtarë. Një prej të lënduarve ka pasuar dëmtime të rënda në këmbë.
I pyetur nga gazetarja e Euronews Albania Bruna Cami teksa shoqërohej me barelë në spitalin e Traumës i riu tha se nuk kishte qenë pjesë e protestës dhe se ishte dhunuar nga policia.
“Policët, nuk isha fare në protestë”, tha ai. Burime nga spitali i Traumës thanë për Euronews Albania se gjendja e të riut paraqitet e rëndë.
“Nëse është dëmtuar arteria që furnizon këmbën me gjak, mund t’i rrezikojë këmbën vetë”, thanë burime nga Trauma.

🔗 Shpërndaje
22:08

Tensionet në Tiranë, protestuesit zhvendosen te “Pazari i Ri”, u vënë flakën koshave dhe tezgave

Protesta që nisi mesditën e kësaj të marte përpara Ministrisë së Arsimit ka vijuar në disa zona të kryeqytetit. Pas lëvizjes në zonën e “9-katësheve”, një grup protestuesish është zhvendosur edhe te “Pazari i Ri”, ku u ka vënë flakën koshave të mbeturinave dhe zonës pranë tregut me strukturë druri.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë ndërhyrë për të menaxhuar situatën dhe për të shuar flakët.

🔗 Shpërndaje
21:33

Lëndimi i gazetarëve gjatë protestës në Tiranë, reagon drejtuesja e AMA: Policia t’i kushtojë vëmendje sigurisë së tyre

Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Armela Krasniqi, ka reaguar pas lëndimit të disa punonjësve të medias gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë. Ajo u ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj gazetarëve e operatorëve, ndërsa i ka kërkuar Policisë së Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit nga terreni.

“Me shqetësim kam ndjekur raportimet për lëndimin e gazetareve dhe gazetarëve dhe vështirësitë me të cilat janë përballur ekipet e medias gjatë raportimit nga protesta e sotme në Tiranë. Pas interesimit pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, u informova se kolegët e lënduar nuk ndodhen më në ambiente spitalore. U uroj shërim të shpejtë dhe shpreh solidaritetin tim me të gjithë kolegët që po raportojnë nga terreni.

Në cilësinë e Kryetares së Autoritetit të Mediave Audiovizive, dëshiroj të nënvizoj rëndësinë e krijimit të kushteve të sigurta për gazetaret, gazetarët dhe operatorët, si dhe të garantimit të ushtrimit të lirë të detyrës së tyre, veçanërisht në situata tensioni.

U bëj thirrje të gjithëve të tregojnë kujdes dhe përmbajtje ndaj ekipeve të medias, ndërsa inkurajoj Policinë e Shtetit t’i kushtojë vëmendje të veçantë sigurisë së tyre gjatë raportimit.

Gazetaret dhe gazetarët në terren kryejnë një shërbim të rëndësishëm në interes të publikut. Puna e tyre meriton respekt, mbështetje dhe mbrojtje”, thuhet në reagimin e kreu të AMA.

 

🔗 Shpërndaje
21:15

Reagon ministri Ervin Demo: Pjesëmarrja në protestë nuk të bën përgjegjës, çdo veprim i policisë të jetë proporcional

Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar për protestën e zhvilluar në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe dëmtime të pronës publike e private. Në një videomesazh në rrjetet sociale, Demo dënoi sulmet ndaj efektivëve të policisë, ndërsa theksoi se çdo ndërhyrje e uniformave blu duhet të jetë e ligjshme, e nevojshme dhe proporcionale.

Ministri e nisi reagimin duke iu referuar zhvillimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, pas mbylljes së përkohshme të një tjetër kapitulli të negociatave në Luksemburg. Sipas tij, ky progres shoqërohet me përgjegjësinë për të zbatuar standardet europiane edhe në mënyrën se si institucionet përballojnë protestat dhe kundërshtitë.

Duke u ndalur te incidentet e regjistruara gjatë protestës, Demo i cilësoi ngjarjet përpara Ministrisë së Arsimit si shqetësuese dhe u shprehu urimet për shërim të shpejtë të gjithë personave të lënduar, qofshin protestues, qytetarë, gazetarë apo punonjës policie.

Ai bëri të ditur se institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë dhe të verifikuar të personave të lënduar.

 

🔗 Shpërndaje
21:00

Tensionet në protestë, Agjencia për Media dhe Informim: Nuk ka studentë në intubim, informacioni është i pavërtetë

Agjencia për Media dhe Informim ka reaguar pas qarkullimit të një informacioni në rrjete sociale se dy studentë ndodhen në intubim për shkak të protestës dhe tensioneve që janë krijuar ditën e sotme.

Në njoftim bëhet me dije se ky është një informacion i rremë pasi nuk ka studentë të cilët ndodhen në këtë gjendje dhe të mos bien pre e dezinformimit.

🔗 Shpërndaje
20:48

Protestuesit mësyjnë Bashkinë e Tiranës, thyejnë derën dhe ndezin flakadanë brenda godinës

Protesta në Tiranë është përshkallëzuar më tej, teksa protestuesit janë zhvendosur nga Ministria e Arsimit drejt Bashkisë së Tiranës. Ata kanë hedhur gurë në drejtim të hyrjes së godinës, duke thyer derën, ndërsa disa prej tyre kanë hyrë brenda ambienteve dhe kanë ndezur flakadanë.

Situata është tensionuar pas mbërritjes së protestuesve në bashki, ku një grup prej tyre ka sulmuar hyrjen e institucionit dhe ka arritur të futet brenda godinës.

Menjëherë pas incidenteve, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur ndërhyrjen dhe arrestimin e personave të përfshirë.

🔗 Shpërndaje
20:12

Protesta në Tiranë, ambasada e SHBA-së paralajmëron shtetasit e vet: Mund të zgjerohet në ndërtesat qeveritare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën që po zhvillohet mbrëmjen e kësaj të marte në Rrugën e Durrësit. Ambasada paralajmëron se tubimi është përshkallëzuar në dhunë dhe u bën thirrje shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes dhe të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat.

Në njoftimin e saj, ambasada bën me dije se protesta, e zhvilluar pranë Sheshit Skënderbej, është shoqëruar me hedhje gurësh dhe mund të përhapet edhe në zonat përreth, përfshirë blloqet dhe ndërtesat qeveritare.

Sipas paralajmërimit, situata mund të sjellë shtim të pranisë policore, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje të rrugëve.

“Një protestë në Rrugën e Durrësit, ngjitur me Sheshin Skënderbej, është duke vazhduar aktualisht dhe është shndërruar në të dhunshme për shkak të hedhjes së gurëve. Protesta mund të zgjerohet në blloqet dhe ndërtesat qeveritare aty pranë, duke shkaktuar potencialisht prani të shtuar të policisë, ndërprerje të trafikut, devijime dhe mbyllje rrugësh”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Qytetarëve amerikanë u kërkohet të tregojnë vigjilencë, t’i japin përparësi sigurisë personale dhe të ndjekin zhvillimet përmes mediave lokale.

“Ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe jepini përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit”, përfundon njoftimi i ambasadës.

🔗 Shpërndaje
20:04

Përplasje të forta në protestën në Tiranë, policia shpërndan protestuesit me gaz lotsjellës, dhjetëra të shoqëruar

Protesta e zhvilluar këtë të martë në Tiranë është përshkallëzuar rreth orës 20:00, pas afro gjashtë orësh tubim dhe përplasjeje mes protestuesve dhe policisë. Efektivët kanë ndërhyrë me autobotë me ujë dhe gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa raportohet për dhjetëra persona të shoqëruar.

Protesta nisi rreth orës 14:00, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit, por më pas u shtri edhe në zona të tjera, veçanërisht përgjatë Rrugës së Durrësit, ku u regjistruan incidente dhe akte dhune.

Pas disa orësh qëndrimi në rrugë, situata u tensionua ndjeshëm, duke sjellë ndërhyrjen e forcave të policisë për shpërndarjen e protestuesve.

Më herët gjatë protestës, protestuesit ndezën disa vatra zjarri në rrugë, pasi dëmtuan një filial të institucionit financiar.

Nga ambientet e biznesit u nxorën mobilie dhe sende të tjera, të cilave protestuesit u vunë flakën në mes të rrugës.

Përshkallëzimi i situatës vijoi deri në mbrëmje, kur policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të rivendosur rendin.

Ndërkohë, dhjetëra persona janë shoqëruar nga policia për veprime të mëtejshme procedurale. Situata u përshkallëzua pas disa orësh proteste, e cila u shoqërua me dëme materiale dhe përplasje të dhunshme.

 

 

🔗 Shpërndaje
19:21

Protesta me tensione në Tiranë, MSH: Në spitale kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, policë dhe gazetarë

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bëri se gjatë ditës së sotme kanë marrë ndihmë mjekësore protestues, efektivë policie, përfaqësues të medias dhe kalimtarë.

Sipas MSH, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultave me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.

Ndërkohë, në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë shërbim mjekësor edhe dy përfaqësuese të medias. Pas ekzaminimeve dhe konsultave përkatëse, ato janë larguar me këshillën e mjekut, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Gjashtë efektivë të Policisë, të raportuar me dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në gjymtyrët e sipërme dhe të poshtme, kanë marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor, bën me dije Ministria e Shëndetësisë.

Të gjashtë efektivët janë larguar nga spitali me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.

Për ndihmë mjekësore janë paraqitur edhe dy kalimtarë të cilët kanë qenë në zonën ku u zhvillua protesta.

Njëri prej tyre është shtruar në spital, ku do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e stafit mjekësor, ndërsa personi tjetër po mbahet në monitorim nga mjekët.

 

 

🔗 Shpërndaje
19:09

Avokati i Popullit për protestën e sotme: Kanë nisur hetimet për përdorimin e forcës nga policia

Avokati i Popullit ka reaguar lidhur me protestën e sotme para Ministrisë së Arsimit.

Në një njoftim, ai thekson se ka nisur një hetim administrativ lidhur me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit në Tiranë.

Gjithashtu, institucioni bën të ditur se po vlerëson nëse ndërhyrja e policisë ka qenë e domosdoshme dhe proporcionale.

Avokati i Popullit u ka bërë gjithashtu thirrje qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës, t’i drejtohen institucionit përmes një ankese individuale.

🔗 Shpërndaje
17:56

Demo reagon për protestën: Gjashtë efektivë të plagosur, dhuna nuk justifikohet

Ministri i Brendshëm Ervin Demo, ka reguar lidhur me situatën e protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit.

Ai ka dënuar ashpër goditjen e bërë ndaj efektikvëve të policisë, ku shprehet se këta të fundit kanë qenë në krye të detyrës.

Demo shton se dhuna është e pajustifikueshme dhe ënnvizon se Policia do vijojë detyrën e saj për të garantuar rendin dhe sigurinë.

“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.

U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.

U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, tha Ministri i Brendshëm.

🔗 Shpërndaje
17:43

Përplasjet te Ministria e Arsimit, reagon policia: 23 persona të shoqëruar, 6 efektivë dhe një gazetare të lënduar

Policia e Shtetit ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar mesditën e sotme pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23 persona janë shoqëruar për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa si pasojë e incidenteve janë lënduar gjashtë efektivë të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe një gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, një grup pjesëmarrësish kanë ndërmarrë veprime të dhunshme, duke dëmtuar fillimisht rrethimin e jashtëm të godinës dhe më pas portën hyrëse, me qëllim hyrjen në oborrin e institucionit. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë thyer dhe dëmtuar me pllaka guri dhe sende të forta xhamat dhe fasadën e ndërtesës.

Policia pretendon se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e sulmit dhe largimin nga oborri i Ministrisë, personat e përfshirë kanë vijuar veprimet e dhunshme, duke goditur efektivët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të forta.

“Në këto kushte, në përputhje me ligjet në fuqi dhe procedurat standarde të punës, strukturat e Policisë kanë ndërhyrë në mënyrë proporcionale për neutralizimin e autorëve të këtyre veprimeve dhe rivendosjen e rendit.

Njëkohësisht, kanë shoqëruar 23 prej tyre për veprime të mëtejshme procedurale.

Si pasojë e sulmit nga persona të maskuar, pjesëmarrës në protestë, janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një shtetase, gazetare. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, bëhet me dije në njoftimin e policisë.

🔗 Shpërndaje
16:10

Protestuesit rikthehen para Ministrisë së Arsimit, qëllojnë me gurë dhe kapsollë efektivët e policisë

Qytetarë të shumtë janë rikthyer sërish për protestën e nisur që prej orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, pasi ata u shpërndanë nga efektivët e policisë dhe autobotit me ujë.

Efektivët të shumtë ndodhen ende në terrenpasi qytetarët janë rikthyer me goditje me kapsollë dhe gurë ndaj policisë.

Deri më tani janë shoqëruar në polici disa protestues, ku ende nuk është bërë e ditur numri i saktë i tyre. Mësohet së policia sërish ka ndërhyrë me autobotin me ujë ndërsa

🔗 Shpërndaje
16:03

Ekspertët e kriminalistikës në Ministrinë e Arsimit, nisin mbledhjen e provave

Ekspertët e kriminalistikës kanë mbërritur pranë godinës së Ministrisë së Arsimit, ku po fiksojnë provat në zonat ku disa protestues sulmuan ndërtesën me mjete të forta, vezë dhe pllakat e trotuarit.

Ndërkohë, policia ka krijuar një perimetër sigurie pranë ministrisë. Siç shihet edhe në fotot e siguruara nga Euronews, rruga përpara kësaj godine është mbushur me pllaka trotuari, të cilat u përdorën gjatë sulmit nga protestuesit.

Kujtojmë se mesditën e kësaj të marte, një grup protestuesish u mblodhën para Ministrisë së Arsimit, ku disa prej tyre ndërmorën sulme ndaj godinës. Më pas, forcat e policisë i zmbrapsën protestuesit duke përdorur autobotet me ujë dhe gaz lotsjellës.

🔗 Shpërndaje
15:41

Përplasja me studentët, efektivët e policisë të lënduar nga protesta, pësuan djegie në sy

Përplasjet mes policisë dhe studentëve nga protesta e zhvilluar para Ministrisë së Arsimit ka sjellë edhe persona të lënduar për shkak të goditjeve fizike.

Mes tyre ka pasur edhe efektivë të policisë të cilët janë shoqëruar me ambulancë pasi kanë pwsuar djegie të syve nga hedhja e mjeteve të ndryshme.

Ditën e sotme është qëlluar me vezë, me gurë me bidon me ujë në drejtim të instiucioneve çfarë solli dhe ndërhyrjen e uniformave blu.

Nga ana tjetër, efektivë të tjerë janë të pozicionuar para Ministrisë së Arsimit, ndërsa në hyrje të Rrugës së Durrësit ndodhet ende autoboti me ujë.

Edhe pse ka pasur shpërndarje të tyre, ka ende grumbullime të qytetarëve që janë të vendosur të protestojnë. Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar.

🔗 Shpërndaje
15:13

Policia nis shoqërimet pas përplasjeve fizike, shoqërohen disa protestues

Studentë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të ministrisë së Arsimit në një protestë të njoftuar prej ditësh.

Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar. Gjatë zhvillimit të kësaj proteste policia ka shoqëruar disa persona, ku mes tyre shihen edhe persona të maskuar. Për shkak tërezistencës së studentëve, efektivët e policisë kanë neutralizuar dhe marrë me forcë disa nga protestuesit më aktivë për t’i shoqëruar drejt komisariateve.

Për shkak të tensioneve dhe përplasjeve fizike, policia ka përdorur autobotin me ujë për të shëprndarë qytetarët.

🔗 Shpërndaje
15:12

Përplasje të dhunshme te Ministria e Arsimit, policia ndërhyn me autobot me uje për të shpërndarë protesuesit

Eshtë tensinuar situata para Ministrisë së Arsimit. Polcia ka përdorur autobotin me ujë për të shpërndarë protestuesit.

Tenionet u përshkallëzuan pasi protestuesit shkulën kangjellat e hekurta që ndodheshin në trotuar dhe tullat, duke i hedhur në drejtim të godinës dhe duke thyer xhamat e dritareve.

🔗 Shpërndaje
14:42

Studentët lyejnë me bojë të kuqe muret e Ministrisë së Arsimit, shkulin edhe kangjellat në rrugë

Fasada e Ministrisë së Arsimit është lyer me ngjyrë të kuqe dhe me vezë. Studentët dhe qytetarë të shumtë prej disa minutash janë mbledhur para ministrisë së Arsimit teksa vijojnë të protestojnë.

Ata kanë hedhur sende, tullumbace me ujë dhe kapsolla në drejtim të godinës. Deri tani nuk ka patur përplasje me policinë teksa dhjetëra efektivë ndodhen në terren. Policia gjithashtu pas nisjes së protestës ka shtuar forcat dhe efektivët.

“Ministria e krimit”, “Policia e krimit”, “Ju erdhi fundi” janë disa nga thirrjet e protestuesve.

Protestuesit gjithashtu kanë shkulur edhe kangjellat në rrugë.

🔗 Shpërndaje
14:25

Nis protesta, studentët hedhin sende në drejtim të Ministrisë së Arsimit

Ka nisur prej disa minutash protesta para Ministrisë së Arsimit, teksa studentët kanë hedhur sende në drejtim të godinës. Gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema ka bërë me dije se në drejtim të ministrisë janë hedhur tullumbace me ujë, vezë, kapsolla dhe sende të tjera.

Protestuesit gjithashtu kanë shkruar grafite në muret e ministrisë: “Ju erdhi fundi”, “Turp” etj. Siç shihet edhe nga pamjet, prania e protestuesve është shtuar teksa herë pas here hedhin sërish sende ndaj ministrisë.

🔗 Shpërndaje
14:01

Me pankarta në duar, nis grumbullimi i studentëve para ministrisë së Arsimit (VIDEO)

Për pak minuta pritet të nisë protesta e njoftuar e studentëve para Ministrisë së Arsimit teksa ka nisur grumbullimi i të rinjve dhe qytetarëve. Siç shihet edhe nga pamjet nga vendi i ngjarjes, të rinjtë shihen me pankarta në duar teksa bëjnë thirrje kundër qeverisë.

Protestues janë grumbulluar edhe para Kryeministrisë teksa ende nuk dihet nëse ata do të bashkohen me studentët para Ministrisë së Arsimit apo do të jenë dy tubime në dy lokacione.

Policia gjithashtu është mobilizuar dhe ka marrë masa. Forca të shumta të policisë ndodhen në terren, duke rrethuar institucionin e arsimit.

🔗 Shpërndaje
13:39

Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit, policia ‘blindon’ zonën! Dhjetëra efektivë në terren (VIDEO)

Pak para nisjes së protestës së studentëve dhe të rinjve, policia është mobilizuar dhe ka marrë masa përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Protesta është thirrur të nisë në orën 14:00, teksa forca të shumta të policisë ndodhen në terren, duke rrethuar institucionin e arsimit.

Momentalisht qarkullimi në këtë zonë nuk është bllokuar ende teksa policia ndodhet në gadishmëri për mbarëvajtjen e tubimit dhe sigurisë së qytetarëve.

Organizatorët u kanë bërë thirrje studentëve nga të gjitha qytetet e vendit dhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkohen tubimit për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin të rinjtë.

🔗 Shpërndaje
Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Sindikata e Universiteteve në krah të studentëve: Dënojmë dhunën, kërkojmë dialog dhe zgjidhje konkrete

Sindikata e Universiteteve ka shprehur solidaritetin me studentët në protestë dhe ka dënuar përdorimin e dhunës nga forcat e rendit ndaj protestuesve. Në një deklaratë,...
01:40 | 14/10/2026

Përplasje të ashpra në protestë. Mbi 13 të lënduar. Dhjetëra persona të shoqëruar

Protesta e studentëve dhe qytetarëve më 13 tetor në Tiranë zgjati mbi tetë orë dhe u shoqërua me përplasje me policinë, të lënduar dhe dëmtime...
01:36 | 14/10/2026

Shefi i Urgjencës së Traumës: Nuk ka humbje jete apo pacientë të intubuar

Disa qytetarë të lënduar gjatë protestës së 13 tetorit në Tiranë kanë marrë ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Shefi i Urgjencës, Agustin Suma, deklaroi...
01:34 | 14/10/2026