Një grup i strukturuar kriminal, i dyshuar për trafikimin e emigrantëve dhe kalimin e paligjshëm të kufijve, është goditur nga SPAK në bashkëpunim me Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH), Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar 7 masa sigurie, ndërsa mes personave të dyshuar janë edhe dy punonjës të Policisë Kufitare në Shkodër.
Gjykata ka caktuar masën “Arrest me burg” për shtetasit:
Jorgji Kuvarati, Erius Hajdari, Arzen Bregasi, M. Gj. të dyshuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale.
V.N., punonjës policie, i dyshuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve në bashkëpunim, duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.
K.T., punonjës policie, i dyshuar po ashtu për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve duke shfrytëzuar funksionin shtetëror.
Ndërsa masa e sigurimit “Arrest në shtëpi” është caktuar për:
K.B., e dyshuar për përfshirje në grupin e strukturuar kriminal dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Emigrantët hynin nga Greqia dhe transportoheshin drejt veriut të Shqipërisë.
Hetimi, i nisur pas një referimi nga Departamenti i Policisë Kriminale, ka zbardhur mënyrën se si funksiononte rrjeti. Shtetasit e huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme, hynin në territorin shqiptar nga Greqia, përmes kufirit të gjelbër në qarqet e Korçës dhe Gjirokastrës.
Grupet e emigrantëve përbëheshin nga 3 deri në 50 persona dhe shoqëroheshin nga persona që orientonin lëvizjen e tyre. Pasi mbërrinin në jug të vendit, ata transportoheshin drejt qarkut të Shkodrës, kryesisht në zonat e Hanit të Hotit dhe Vukpalajt, me synimin për të kaluar drejt Malit të Zi kundrejt pagesave monetare.
Shtatë episode të dokumentuara nga hetimi
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, një prej episodeve të dokumentuara daton më 1 maj 2024, kur tre shtetas të huaj u transportuan nga Mëzezi në Tiranë drejt Hanit të Hotit.
Më 13 dhe 14 maj 2024, 21 emigrantë u transportuan nga fshati Mashkullorë në Gjirokastër drejt Vukpalajt, në Malësinë e Madhe. Ndërsa më 19–21 qershor, 11 emigrantë u transportuan nga fshati Dardhë i Korçës drejt Hanit të Hotit.
Një tjetër episod është regjistruar më 28 qershor 2024, kur 17 shtetas të huaj u transportuan nga Dardha e Korçës drejt Vukpalajt. Më 7 korrik, një tentativë për transportimin e katër emigrantëve nga Korça u ndërpre nga policia, ndërsa drejtuesi i automjetit u arrestua në flagrancë nga Policia e Korçës dhe Maliqit.
Dy efektivët dyshohet se lehtësuan kalimin e emigrantëve drejt Malit të Zi.
Një nga episodet kryesore të hetimit lidhet me datat 8 dhe 9 korrik 2024, kur 12 emigrantë u transportuan nga Jorgucati i Gjirokastrës drejt Malësisë së Madhe. Sipas hetimeve, në këtë rast dy punonjësit e Policisë Kufitare në Shkodër dyshohet se lehtësuan kalimin e tyre drejt Malit të Zi, duke shfrytëzuar funksionin e tyre.
Ndërkohë, më 23 dhe 24 korrik 2024, 11 emigrantë u transportuan nga Bilishti drejt Tiranës dhe më pas në Shkodër. Pasi kaluan në Malin e Zi, ata u morën peng nga pesë persona me origjinë nga Lindja e Mesme.
Në bashkëpunim me autoritetet malazeze, u bë e mundur lirimi i personave të marrë peng dhe arrestimi i tre prej pengmarrësve.
SPAK bën me dije se hetimet vijojnë me intensitet për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet kriminal, si brenda territorit shqiptar, ashtu edhe jashtë vendit.














