
Studentët që protestuan këtë të martë para ministrisë së arsimit janë përballur me dhunën e forcave speciale në momentin që thyen dyert e godinës së ministrisë dhe kangjellat në Rrugën e Durrësit. Tubimi nisi i tensionuar me thirrjet “Duam kushte, duam dije, jo përralla qeverie”, “Kur zgjohet rinia, bie qeveria” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Protestuesit u mblodhën rreth orës 14:00 në Rrugën e Durrësit, përpara godinës së ministrisë, ku ishin vendosur forca të shumta policore. Situata u tensionua kur një pjesë e të rinjve hodhën vezë, shishe uji, letra higjienike, gurë dhe kapsolla drejt institucionit. Në fasadën e ministrisë u shkrua “Ministri e Krimit”.
Por në momentin kur dera e hyrjes së ministrisë u hap dhe u hoqën kangjellat mbrojtëse, forcat speciale e policisë që ishin në pritje, kanë ndërhyrë ashpër duke përdorur shkopinjtë e gomës dhe ujin me presion kundër protestuesve.
Organizatorët kishin bërë thirrje për pjesëmarrje nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, me synimin për të bashkuar studentët dhe qytetarët në një reagim më të gjerë.
Prej më shumë se gjashtë orësh, qendra e Tiranës u përfshi nga kaosi dhe flakët, për shkak të përplasjeve të dhunshme. Me dhjetëra video në rrjetet sociale dëshmuan se si studentë, protestues dhe qytetarë të moshuar janë përballur me ndërhyrjet e dhunshme të forcave të rendit, me goditje të shkopinjve të gomës, me ujë me presion, rrahje dhe tërheqje zvarrë nga civilë të maskuar.
Përplasjet u përqëndruan në Rrugën e Durrësit edhe në orët e mbrëmjes ku një grup të rinjsh dëmtuan platformat e reklamave në rrugë, hoqën pllakat e trotuareve dhe shqyren kangjellat në anë të rrugës në shenjë proteste, ndërsa më pas u vunë flakën kazanëve të mbeturinave. Në një prej incidenteve, protestuesit hynë në ambientet e institucionit financiar “Iute Credit”, nxorën mobiliet në rrugë dhe u vunë flakën.
Forcat e policisë mësynë drejt grupit të protestuesve në orët e vona të mbrëmjes dhe protesta u zhvendos në qendër të kryeqytetit, deri pranë bashkisë së Tiranës ku qytetarët shembën hyrjen kryesore dhe tentuan të futen brenda godinës.
Më poshtë mund të shihni videot nga protesta dhe incidentet përpara Ministrisë së Arsimit.







