Çmimi i gazit në Evropë arrin nivelin më të lartë që nga dhjetori 2022

Çmimi i gazit natyror në Evropë u rrit sot në nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2022, i ndikuar nga ndërprerjet e furnizimit nga Gjiri dhe rezervat e ulëta të Gjermanisë. Ndërkohë, çmimet e naftës shënuan rënie, pas rritjes së fortë të regjistruar të hënën.
Rreth orës 09:55 GMT, kontrata e së ardhmes për gazin TTF në Holandë, treguesi kryesor i çmimeve të gazit në Evropë, u rrit me 2,17%, duke arritur në 86,19 euro për megavat-orë.
Më herët, çmimi kishte prekur nivelin prej 86,79 eurosh për megavat-orë.
Analistët e bankës ING paralajmëruan se tregjet po përgatiten për një dimër në hemisferën veriore me furnizime të kufizuara me gaz natyror të lëngshëm (GNL) nga Gjiri.
Lufta në Lindjen e Mesme ka ndërprerë një pjesë të prodhimit dhe eksporteve të gazit të lëngshëm nga Katari, duke shtuar pasigurinë për furnizimin me energji.
Humbja e vazhdueshme e një pjese të furnizimeve ka intensifikuar konkurrencën mes blerësve evropianë dhe aziatikë, të cilët mbështeten te importet e gazit.
Kjo situatë ushtron presion në rritje mbi çmimet, në një periudhë kur kërkesa pritet të shtohet me afrimin e dimrit.
Rezervat e gazit në Evropë janë aktualisht të mbushura në masën 73,75%, dukshëm më pak se niveli prej 83% i regjistruar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe nën mesataren pesëvjeçare prej 89%.
Sipas platformës evropiane AGSI, situata është veçanërisht shqetësuese në Gjermani, ku rezervat janë të mbushura vetëm në masën 59,96%.
Në tregun e naftës, tendenca ishte e kundërt. Rreth orës 10:15 GMT, nafta “Brent “e Detit të Veriut, për dorëzim në dhjetor, ra me 1,92%, duke u tregtuar me 104,60 dollarë për fuçi.
Ndërsa nafta amerikane WTI, për dorëzim në nëntor, humbi 2,08% të vlerës, duke zbritur në 91,79 dollarë për fuçi.

