Protesta e nisur në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit në Tiranë është shoqëruar me përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, një i ri shihet teksa përpiqet t’i shmanget shoqërimit nga Policia, ndërsa është i rrethuar nga disa efektivë. Gjatë momentit të filmuar, ai godet me grushte drejt punonjësve të Policisë, të cilët përpiqen ta vënë nën kontroll.
Në pamje duken rreth gjashtë efektivë që ndërhyjnë për të neutralizuar të riun, ndërsa pas disa çastesh arrijnë ta kontrollojnë situatën. Tubimi para Ministrisë së Arsimit vijon pas disa orësh, ndërsa pjesëmarrësit janë mbledhur në numër të konsiderueshëm.
Përplasjet fizike kanë shtuar tensionet gjatë protestës, e cila deri në këto momente nuk është shpërndarë.
