
Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka reaguar mbi protestën që po zhvillohet te Ministria e Arsimit duke kërkuar ruajtjen e qetësisë pasi sipas tij dhuna nuk justifikohet.
Demo ka dënuar gjithashtu dhe dhunën ndaj efektivëve të policisë.
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar”, shkruan Demo.
Ministri vijon me apelin për të mos u agravuar situata ndërsa u ka uruar shërim të shpejtë efektivëve të plagosur.
“Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.
Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”, thuhet në reagimin e ministrit Ervin Demo.

