Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së sotme të studentëve para Ministrisë së Arsimit. Është ministri i Brendshëm, Ervin Demo që ka bërë me dije shifrat e efektivëve që janë lënduar, ndërsa i bën thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë.
Ai thekson se dhuna nuk do të justifikohet, kurse familjet e efektivëve kanë mbështetjen e plotë të qeverisë. Në reagimin e bërë në kanalin zyrtar në facebook thuhej:
“Gjashtë efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur ndërsa kryenin detyrën për garantimin e rendit dhe sigurisë. E dënoj pa asnjë rezervë dhunën ndaj tyre. Goditja e një punonjësi policie nuk është ushtrim i së drejtës për të protestuar.
U bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të ruajnë qetësinë, dhuna nuk justifikohet.
U uroj shërim të shpejtë efektivëve të plagosur. Ata dhe familjet e tyre kanë mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.
Policia e Shtetit do të vijojë të përmbushë detyrën e saj për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke respektuar të drejtën për protestë paqësore dhe duke vepruar me profesionalizëm, përmbajtje dhe në përputhje me ligjin.
Në këto momente, përgjegjësia e secilit është të kontribuojë në uljen e tensioneve”.
