Përplasjet mes protestuesve dhe Policisë gjatë tubimit të studentëve para Ministrisë së Arsimit kanë përfunduar me 23 persona të shoqëruar në komisariat dhe shtatë të lënduar, mes tyre gjashtë efektivë dhe një gazetare.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, incidentet nisën kur një grup protestuesish dëmtuan rrethimin e godinës dhe portën hyrëse, ndërsa më pas thyen xhamat dhe dëmtuan fasadën e institucionit me gurë e sende të forta.
Policia pretendon se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndalimin e veprimeve të dhunshme, protestuesit vijuan të godisnin efektivët me molotovë, kapsolla, gurë dhe sende të tjera. Përballë kësaj situate, forcat e rendit ndërhynë për të neutralizuar personat e përfshirë dhe për të rivendosur qetësinë.
Gjashtë punonjësit e Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe gazetarja e lënduar ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas Policisë.
Ndërkohë, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë nisur hetimet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë në incidentet e regjistruara gjatë protestës.












