Ra nga çatia, plagoset 52-vjeçari në Ballsh (EMRI)

Një aksident është regjistruar në lagjen “5 Shkurti” të qytetit të Ballshit, ku një 52-vjeçar ka mbetur i plagosur pasi është rrëzuar nga lartësia, teksa po punonte për riparimin e çatisë së banesës së tij.
I dëmtuari është identifikuar si Festim Sulaj. Sipas informacioneve paraprake, ai ka qenë duke kryer punime për rregullimin e tjegullave të çatisë, kur dyshohet se ka humbur ekuilibrin dhe ka rrëshqitur nga shkallët, duke përfunduar në tokë.
Si pasojë e rrëzimit, 52-vjeçari ka pësuar dëmtime fizike, kryesisht në pjesën e pasme të kokës. Pas aksidentit, ai është transportuar drejt Spitalit të Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore dhe i është stabilizuar gjendja shëndetësore.
Për shkak të dëmtimeve të pësuara, pas stabilizimit fillestar, Sulaj është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme për vlerësimin e plotë të gjendjes së tij.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit. Në kuadër të veprimeve hetimore, pritet të përcaktohet mënyra se si ka ndodhur rrëzimi, si dhe nëse kanë ndikuar kushtet e punës apo faktorë të tjerë.


