Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin ‘Task Force’ në SYRI TV, me Sonila Meçon, ka reaguar ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë kundër studentëve që protestuan sot përpara Ministrisë së Arsimit, duke deklaruar se dhuna po ushtrohet nga uniformat blu dhe jo nga të rinjtë.
Koka theksoi se duhet bërë një dallim i qartë mes rezistencës së studentëve dhe dhunës së policisë, duke akuzuar efektivët se po godasin protestuesit dhe po i gjakosin ata.
Sipas Kokës, studentët nuk po ia drejtojnë kërkesat e tyre policisë, por kryeministrit Edi Rama, ndaj edhe përgjegjësia për të negociuar me ta i takon kreut të qeverisë.
‘Studentët kanë një kërkesë dhe nuk po ia kërkojnë policisë drejtpërdrejt, po ia kërkojnë Edi Ramës. Negociatat me qeverinë nuk duhet t'i bëjë policia, duhet t'i bëjë Edi Rama. Kur të kthehet nga dasma që po bën në Luksemburg, të vijë’, deklaroi Koka.
Gazetari shtoi se studentët e kanë përballjen politike me kryeministrin, ndërsa policia, sipas tij, po përdoret për të përballuar protestën në emër të qeverisë.
‘Duhet të ndajmë, duhet të ndajmë dy gjëra. Dhunën, dhunën nuk po e ushtrojnë studentët, dhunën po e ushtron policia. Të mos i ngatërrojmë, më fal. Rezistenca është një gjë, termat janë shumë të rëndësishëm i dashur.
Rezistenca është një gjë, dhuna është një gjë tjetër. Unë nuk di që studentët të kenë shkuar të sulmojnë nëpër komisariate apo drejtorinë e policisë. Shoh që policia po i zhdëp në dru dhe po gjakosen studentët.
Dhe ka diferencë shumë të madhe. Studentët kanë një kërkesë dhe nuk po ia kërkojnë policisë drejtpërdrejt, po ia kërkojnë Edi Ramës. Negociatat me qeverinë nuk duhet t'i bëjë policia, duhet t'i bëjë Edi Rama. Kur të kthehet nga dasma që po bën në Luksemburg, të vijë.
Dhe jam i sigurt që është duke i ndjekur në këto momente dhe po i dridhen leqet e këmbëve. Llogarinë studentët e kanë me Edi Ramën. Policia është në sikletin e vet se duhet të bëjë detyrën, t'i shërbejë zotit të radhës.
Por dhe këtu ka vend për përmbajtje, se mendoj që shumica e atyre studentëve kanë edhe të afërmit e tyre policë. Pra, sa herë ata policët nxjerrin shkopin e gomës dhe thyejnë kockat e të rinjve dhe studentëve dhe i gjakosin, duhet të mendojnë që aty mund të jetë edhe nipi i vet, fëmija i vet. Siç ka treguar koha, që para tre muajsh kur ishin studentët në shesh, babai ishte në protestë dhe vajza ishte përballë babait.
E kupton? Kështu që ky është një moment shumë delikat. Për të cilin duhet bërë shumë kujdes, të paktën nga ne që nuk kemi ndonjë mision t'i shërbejmë qeverisë, me termat. Dhunën po e ushtron policia. Kockat e të rinjve po i thyen policia. Gjakun e të rinjve po e derdh policia që i shërben Edi Ramës.’, tha Bledian Koka në SYRI TV.
© SYRI.net
Imazhi simbol i revoltës rinore kundër narko-shtetit të Ramës: Studenti i prangosur te dera e ministrisë
REUTERS: Revoltohen studentët shqiptarë, ngrihen në protestë si moshatarët e tyre në Francë