
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj pyetjeve të një gazetari të medias ukrainase “Kyiv Independent” në Luksemburg, lidhur me arrestimin e ish-shefes së SHISH, protestat kundër projektit në Zvërnec dhe investimin e lidhur me Jared Kushner.
Gjatë përgjigjes, kryeministri foli edhe për funksionimin e drejtësisë në Shqipëri, duke argumentuar se vendi ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
Rama kujtoi se në të kaluarën Shqipëria identifikohej me kulturën e pandëshkueshmërisë, ndërsa sot, sipas tij, askush nuk është mbi ligjin.
Ai theksoi se fakti që sistemi i drejtësisë ka nisur të funksionojë përbën një motivim për të vijuar përpara, duke iu referuar edhe ndryshimit të rolit të institucioneve në luftën kundër korrupsionit.
“Kur e nisëm këtë rrugëtim në këtë vend, njiheshim si atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë. Sot njihemi si një prej vendeve pararojë dhe kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar, askush nuk është mbi ligjin”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se mënyra se si vlerësohen zhvillimet në Shqipëri varet edhe nga këndvështrimi, duke nënvizuar se rezultatet e drejtësisë duhet të gjykohen mbi bazën e fakteve, sa i takon Zvërnecit, duke i sugjeruar gazetarit të vizitojë Shqipërinë për të kuptuar më mirë zhvillimet dhe debatet që lidhen me investimin.
“Për pyetjen e dytë, do t’ju thoja të vini në Shqipëri, sepse kur e sheh nga jashtë mund të hutohesh, të ngatërrohesh me kaq filtra të medias online dhe të jesh i paqartë”, deklaroi Rama.
Sa i përket projektit të lidhur me Jared Kushner, kryeministri tha se ai është përmendur në raportime në lidhje me emrin e investitorit, por theksoi se ambicia e qeverisë është më e gjerë sesa një emër i vetëm.
Sipas Ramës, synimi është që investimi të shërbejë si një model për mënyrën se si mund të zhvillohen projekte në harmoni me natyrën, duke shtuar se manifestimet dhe reagimet publike kanë ndihmuar në përmirësimin e projektit dhe avancimin drejt rezultateve bindëse../Versus.al

