Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, përshëndeti Shqipërinë për përfundimin e një kapitulli tjetër të negociatave të anëtarësimit, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt integrimit evropian.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Luksemburg, Kos vuri theksin te rëndësia e reformave dhe te mbështetja që kapitulli i ri u ofron bizneseve shqiptare.
Të lidhura
None found
Ajo tha se Shqipëria po renditet ndër vendet kryesuese për sa i përket progresit të arritur dhe se, falë punës së bërë dhe mbështetjes së vendeve anëtare, është mbyllur kapitulli i 20-të negociues, i cili lidhet me sipërmarrjen dhe politikat industriale.
Sipas saj, ky kapitull synon të ndihmojë bizneset shqiptare të rriten, të zhvillohen dhe të krijojnë më shumë vende pune. Kos theksoi se bizneset e vogla dhe të mesme përbëjnë shtyllën kryesore të ekonomisë shqiptare dhe të procesit të reformave.
Komisionerja nënvizoi se kapitulli 20 sjell përfitime konkrete, ndërsa politikat industriale të Shqipërisë po afrohen gjithnjë e më shumë me ato të BE-së, veçanërisht në fushën e teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe materialeve të lëndës së parë kritike. Këto zhvillime, tha ajo, janë të rëndësishme për krijimin e një ekonomie shqiptare më të fuqishme dhe të përgatitur për të konkurruar në tregun e përbashkët evropian.
Marta Kos rikonfirmoi gjithashtu se Bashkimi Evropian mbështet synimin e Shqipërisë për të përmbyllur të gjithë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2027.
“Përgëzoj institucionet shqiptare për këtë arritje të radhës. Objektivi i Shqipërisë për mbylljen e të gjithë kapitujve negociues deri në fund të vitit 2027 është ambicioz dhe ka mbështetjen tonë. Megjithatë, për ta realizuar atë, vendi duhet të vijojë të japë rezultate, veçanërisht në fushat themelore. Ky proces kërkon përfshirjen e qeverisë, opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve, pasi anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar”, deklaroi ajo.
Kos shtoi se BE-ja po përgatitet për një zgjerim të mëtejshëm dhe po ndërmerr hapat e nevojshëm për ta bërë këtë realitet.
“E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Së bashku me ju, kryeministër, po punojmë për ta kthyer këtë në realitet, ndërsa progresi i shënuar sot e afron edhe më shumë atë të ardhme”, u shpreh Marta Kos.





