Shqipëria mbyll kapitullin e katërt të negociatave me BE-në, ministri irlandez Byrne: Progres i qëndrueshëm drejt anëtarësimit

13 Tetor 2026 | 18:39

Shqipëria ka mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur. Në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Luksemburg, u formalizua mbyllja e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisioneren evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, dhe kryeministrin Edi Rama, ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen i Irlandës, Thomas Byrne, i cili përfaqëson Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ai theksoi se vendi ka hyrë në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit.

Byrne rikujtoi se, pas përmbushjes së piketave të ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit për kapitujt 23 dhe 24 në muajin maj, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë negociues në korrik. Sipas tij, mbyllja e Kapitullit 20 dëshmon vijimësinë e reformave dhe angazhimin e vendit për anëtarësimin në BE.

Ministri inkurajoi Shqipërinë të ruajë ritmin e reformave dhe të vijojë zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke nënvizuar se raporti i vitit 2026 do të shërbejë për të vlerësuar arritjet dhe për të identifikuar fushat ku nevojitet progres i mëtejshëm.

Sipas Byrne, zbatimi i reformave jo vetëm që i përafron vendet kandidate me standardet e Bashkimit Evropian, por kontribuon edhe në transformimin e institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë.

Në përfundim, ai shprehu angazhimin e Presidencës irlandeze të Këshillit të BE-së për të avancuar më tej procesin e negociatave me Shqipërinë, me synimin për mbylljen e kapitujve të tjerë gjatë mandatit të saj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

“Akuzat janë të pavërteta”, reagon ambasadorja amerikane në Greqi: Do të mbroj emrin dhe reputacionin tim

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social X lidhur me akuzat e fundit...
17:58 | 13/10/2026

Rama takohet me kryeministrin e Luksemburgut: Nga marsi 2027, fluturime direkte me Shqipërinë

Në prag të konferencës ndërqeveritare, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Frieden, ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe...
17:36 | 13/10/2026

Përplasjet para Ministrisë së Arsimit, deputetja Koçeku thirrje ministrit Demo: Mbroni studentët

Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar pas përplasjeve të ndodhura këtë të martë gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit, teksa i ka bërë një...
17:03 | 13/10/2026