Rama për projektin e Jared Kushner në Shqipëri: Protestat ndihmuan në përmirësimin e tij

13 Tetor 2026 | 18:43

Kryeministri Edi Rama komentoi projektin e investimit të Jared Kushner në Shqipëri, duke deklaruar se synimi është që ai të shërbejë si model për zhvillimin në harmoni me natyrën. Në konferencën për shtyp pas Konferencës së radhës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian, Rama u shpreh se edhe protestat dhe reagimet publike kanë ndihmuar në përmirësimin e projektit.

Kreu i qeverisë theksoi se projekti përfshin më shumë sesa emrin e investitorit dhe se Shqipëria ka ambicie të mëdha për realizimin e tij. Ai ftoi të interesuarit që të vizitojnë vendin për të kuptuar nga afër përmasat dhe objektivat e investimit.

“Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën. Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim. Mbetet për t’u provuar dhe bazuar në fakte, ndaj presim me padurim kur do të tregojmë të gjithë punën që po bëhet”, tha Rama.

Gjatë konferencës, Rama iu përgjigj gjithashtu pyetjes së një gazetari lidhur me arrestimin e kreut të SHISH, Vlora Hyseni, duke e cilësuar zhvillimin e këtyre proceseve si shenjë se sistemi ka nisur të funksionojë.

“Mund ta kuptoni shumë mirë se ç’nënkupton kur flasim për situata kur drejtësia bën punën e vet. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Vijmë këtu sot dhe njihemi si një prej vendeve pararojë, edhe sepse kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, përfundoi kryeministri.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Marta Kos: E ardhmja e Shqipërisë është në BE, mbështesim objektivin për vitin 2027

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për mbylljen e një tjetër kapitulli në negociatat e anëtarësimit në BE, duke e...
18:31 | 13/10/2026

Demo reagon për protestën sot: Gjashtë efektivë të plagosur, dhuna nuk justifikohet

Ministri i Brendshëm Ervin Demo, ka reguar lidhur me situatën e protestës së zhvilluar sot para Ministrisë së Arsimit. Ai ka dënuar ashpër goditjen e...
17:57 | 13/10/2026

Përplasjet te Ministria e Arsimit, reagon policia: 23 persona të shoqëruar, 6 efektivë dhe një gazetare të lënduar

Policia e Shtetit ka reaguar pas përplasjeve të dhunshme gjatë tubimit të zhvilluar mesditën e sotme pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Sipas policisë, 23...
17:37 | 13/10/2026