Mbyllja e Kapitullit 20, Komisionerja Marta Kos përgëzon Shqipërinë: Përfitojnë bizneset e vogla dhe të mesme
Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos ka përgëzuar Shqipërinë për përparimin në procesin e negociatave dhe vlerësoi reformat e ndërmarra nga vendi. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama në Luksemburg, ajo tha se mbyllja e kapitullit 20 sjell përfitime për bizneset e vogla dhe të mesme në Shqipëri.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtarëve, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare, reformave dhe kapitulli 20 sjell përfitime reale. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE, sidomos teknologjive të reja. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë, shqiptare që është e gatshme të zhvillohet në tregun e përbashkët të BE”, deklaroi Kos. Sipas saj ambicia e Shqipërisë për të mbyllur reformat deri në fund të vitit 2027, duhet të përfshijë të gjithë, se anëtarësimi në BE është objektiv kombëtar.
“Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje dhe ju zonja ministre, e dashur Delina kjo është arritja juaj. Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur reformat deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por për ta arritur këtë Shqipëria duhet të japë rezultate sidomos për themeloret dhe kjo duhet të përfshijë të gjithë se anëtarësimi në BE është objektiv kombëtar. E ardhmja e Shqipërisë është në BE së bashku me ju kryeministër po e bëjmë realitet”.

